Prej ditësh vihet re një shtim i rasteve të të infektuarve me Covid-19, ku në qytetin e Durrësit vetëm sot raportohen 38 persona pozitivë. Ndërkohë, një ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë raportoi vetëm 2 raste për qytetin bregdetar, ndërsa të shtunën 4 infektime të reja. Nëse kjo shifër do të konfirmohet edhe nga buletini ditor i ministrisë, në orën 16.00, ajo do të jetë më e larta që nga nisja e pandemisë në Durrës.
DurrësLajm mëson se këto ditë ka pasur fluks qytetarësh për të bërë tamponin, por zakonisht përgjigjet i marrin pas dy-tre ditësh dhe për këtë shkak është kjo shifër kaq e lartë brenda 24 orësh në qytetin bregdetar.
Sipas informacioneve të para, të infektuar ka rezultuar punonjës institucionesh, por edhe nxënës të shkollave. Gjithashtu dy nxënës nga Durrësi, por që ndjekin mësimin në Shkollën Bujqësore në Golem, kanë dalë pozitivë.





