Policia e Kosovës ka ekspozuar një pjesë të armëve e municionit që ka sekuestruar ditën e diel në Zveçan. Policia kishte njoftuar se grupet terroriste kanë pasur sasi të madhe të armatimit.
“Sipas informacioneve fillestare bëhet fjalë për gjetjen e dhjetëra, qindra armëve të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, uniforma dhe pajisje logjistike, përfshirë armë ushtarake të kalibrit të rëndë si granata, zolla, mitralozë, kallashnikov etj. etj”, njoftoi Policia.
Lidhur me armatimin e sekuestruar, Policia sot do të mbajë edhe një konferencë për media, ku do të prezantojë tërë arsenalin e armëve.
Policia e Kosovës më 24 shtator u sulmua nga grupe kriminale në veri, ku u vra polici Afrim Bunjaku, një tjetër polic u plagos dhe një u lëndua.
Pas aktit terrorist, rreth 30 persona të armatosur u fshehën në manastirin në Banjskë. Policia e Kosovës ftoi personat e armatosur të dorëzohen por ata vazhduan me sulme ndaj policisë.
Policia njoftoi gjatë ditës së diel, se janë vrarë tre sulmues, si dhe ka arritur të arrestojë dy sulmues, dhe katër persona tjerë të cilët dyshohen se janë përfshirë me sulmin terrorist.