Deputetja britanike, Alicia Kearns ka reaguar pas sulmit terrorist në veri të vendit ndaj Policisë së Kosovës, gjersa theksoi se trendi i kohëve të fundit i ndëshkimit të Kosovës dhe përkëdheljes ndaj Aleksandar Vuçiçit, gjithnjë e më autokratik po çon në një cikël dhune, paqëndrueshmërie dhe keqdashjeje.

Kearns në një postim të gjatë në X thekson se Mbretëria e Bashkuar ka më shumë përgjegjësi për të kontribuar në suksesin e Kosovës dhe për të siguruar që të mos ketë një kthim në brutalitetin e viteve ’90-ta.

Deputetja britanike e cila kohë më parë paralajmëroi për armatosjen në veri të Kosovës tha se duhet të ndërmerren veprime tani për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të siguruar një të ardhme paqësore për të gjithë në Ballkan.

“Shumë fakte që duhen vërtetuar pas vrasjes së një polici kosovar, por mosndëshkimi ngjall përbuzje për sundimin e ligjit dhe rendit, kështu që llogaridhënia është prioritet krahas një rivlerësimi urgjent për të vendosur drejtësinë dhe ekuilibrin në qendër të qasjes ndërkombëtare ndaj dialogut Serbi-Kosovë.

Trendi i kohëve të fundit i ndëshkimit të Kosovës dhe përkëdheljes ndaj Vuçiçit gjithnjë e më autokratik po na çon më thellë në një cikël dhune, paqëndrueshmërie dhe keqdashjeje, ndërsa drita në fund të tunelit e normalizimit dhe anëtarësimit në BE për të dy vendet errësohet gjithnjë e më shumë”, tha ajo.

Deputetja britanike thotë më tej Policia e Kosovës do të hetojë grupet paraushtarake përgjegjëse për vrasjen e oficerit Afrim Bunjaku.

Por, Kearns shtron pyetjen se si financohen, armatosen dhe si kanë transportuar armë në/përreth Kosovës dhe nga kush i marrin udhëzimet e tyre.

Për ligjvënësen britanike KFOR-i dhe EULEX-i duhet të ndihmojnë në hetime dhe të ndajnë të gjitha informacionet mbi depot e armëve…

Ajo po ashtu thekson se Mbretëria e Bashkuar, si anëtare e QUINT-it duhet të marrë një rol më aktiv në dialogun e paqes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, gjersa nga KFOR-i kërkon shtimin e trupave në Kosovë.

Ndërkaq, nga Qeveria e Serbisë kërkoi që të angazhohet për normalizim dhe t’i japë fund përdorimit të retorikës radikalizuese dhe armatimit, e të ndarjeve etnike që nxisin urrejtje.

Kearns po ashtu i drejtohet BE-së dhe SHBA-së, nga të cilat kërkon të mos i mbyllin më sytë ndaj intransigjentes nga Serbia.

Ndërkaq, nga Qeveria e Kosovës thotë se duhet të potencohet përkushtimi për të mbështetur komunitetet serbo-kosovare, duke siguruar përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e tyre aktive në demokraci…

Deputetja thekson se edhe BE-ja duhet të angazhojë pesë shtetet e BE-së që nuk e njohin sovranitetin e Kosovës për të mbështetur trajektoren e Kosovës drejt BE-së dhe NATO-s, duke forcuar paprekshmërinë e integritetit të saj territorial.

“Mbretëria e Bashkuar duhet të udhëheqë përpjekjet për një aleancë të sigurisë ndërmjet SHBA-së, Britanisë së Madhe, vendeve të tjera anëtare të NATO-s dhe Kosovës, derisa Kosova të arrijë anëtarësimin e plotë në NATO. Një marrëveshje e tillë do të adresonte shqetësimet e menjëhershme të sigurisë dhe do të hapte rrugën për stabilitet afatgjatë në rajon.

Dështimi nuk është një opsion. Parandalimi në Ballkan duhet të jetë një prioritet për Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën.

Duhet të ndërmerren veprime tani për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm dhe për të siguruar një të ardhme paqësore për të gjithë në Ballkan”, thotë ajo.