Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ftoi aktorët politikë në takime konsultuese pas sulmit terrorist në veri të vendit.

Kësaj ftese iu përgjigj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që kërkoi hetim ndërkombëtar nga SHBA dhe BE-ja për të konfirmuar përfshirjen e Serbisë në agresion, ndërsa tha se rreziku për sigurinë e vendit vazhdon ende.

“Është e logjikshme që të bashkëbisedohet në situata të tilla të sigurisë për shkak se rreziku për sigurinë në Kosovë vazhdon edhe më tutje. Pra, është prezent rreziku. Institucionet e sigurisë në Kosovë kanë bërë punën më të mirë dhe të suksesshme, i përgëzoj për punë të gjithë, por duhet të bëjmë kujdes që vendimmarrësit politik ta kryejnë punën e vet me sukses. Kështu që përballja me rreziqet sigurisë nuk bëhet duke e bartë krejt përgjegjësinë vetëm te profesionistët. Duhet ndihma politike dhe kurs politik, i besueshëm me aleatët e sigurisë”, tha Haradinaj.