Në Japoni, thuhej se flijimi i një gruaje në një lumë të harbuar do të qetësonte shpirtin që jetonte aty, duke mundësuar ndërtimin e urave dhe kalimin e sigurtë të anijeve.

Në mitin grek, mbreti luftëtar Agamemnon vendos të vrasë vajzën e tij, në këmbim të një ere të qetë në rrugën drejt Trojës. Ndërsa egjiptianët i varrosën disa nga faraonët e tyre bashkë me dhjetëra nëpunës kur këta të fundit vdisnin, për të siguruar që nevojat e tyre të përmbusheshin sërish edhe në jetën e përtejme.

Trupat e gjetur të varrosur në kënetat e ndryshme nëpër Evropë, mund të jenë vrarë si dhuratë për pushtetet e epërme. Qytetërimet e mëdha të Mesoamerikës vrisnin njerëz, hidhnin ushqimet dhe zhysnin në ujëra thesare, për të paguar borxhet ndaj perëndive të tyre. Njerëzit e lashtë mund të vrisnin në një milionë mënyra të ndryshme, dhe mund t’iu jepnin një milionë arsye të ndryshme pse kjo është e nevojshme të bëhet.

Në shumë pjesë të botës para-moderne, rituali i flijimit konsiderohej si e nevojshëm për të mirën e shoqërisë në përgjithësi – e vetmja mënyrë për të garantuar të korra të bollshme apo suksese në luftë. Por një studim i ri sugjeron se priftërinjtë dhe sundimtarët që vendosnin mbi vrasje të tilla, mund të kenë pasur një motiv. Nga një analizë e dhjetëra kulturave austroneziane, u zbulua se praktikën e sakrificës njerëzore qenë të prirur për ta kryer shoqëritë gjithnjë e më pak egalitare, çka përfundimisht garatonte rritjen e pushtetit të trashëguar të një klase sunduese. Me fjalë të tjera, vrasjet rituale ndihmuan për të mbajtur pushtetin dhe të gjithë të tjerët në kontroll.

Kjo gjetje mund të duket intuitive – shoqëritë, në të cilat disa anëtarë vriten zakonisht ndoshta  vlerësojnë disa jetë të caktuara mbi të tjerat – por ajo ka implikime më të gjera, u shprehën studiuesit në artikullin e tyre për revistën ‘Nature’. Ata sugjeruan ekzistencën e një “lidhje të errët ndërmjet fesë dhe evoluimit të shoqërive moderne hierarkike”, shkruajnë ata, duke shtuar se “vrasjet rituale, ndihmuan kalimin e njerëzve nga grupe të vogla egalitare të etërve tanë në grupe më të mëdha, dhe shoqëri të shtresëzuara që ekzistojnë në ditët e sotme”.

Shumë sociologë kanë teorizuar në lidhje me këtë çështje, thona studiuesit, por nuk ka pasur shumë studime rigoroze shkencore se si u arrit në një proces të tillë. Shkencëtarët përdorën analizën filogjenetike – një mjet që është përdorur fillimisht për ndërtuar pemën evolutive të familjes, por që mund të aplikohet edhe nga sociologët për të studiuar zhvillimin e gjuhëve – për të paraqitur marrëdhëniet midis 93 kulturave që u shqyrtuan.

Kjo i lejoi ata të shihnin nëse tiparet që po kërkonin qenë të trashëguara ose të adoptuara nga kultura të tjera, si dhe i ndihmoi të përcaktojnë marrëdhëniet shkakësore midis sakrificës njerëzore dhe shtresëzimit. (Të njëjtët shkencëtarë e përdorën këtë teknikë vitin e kaluar për një studim, që argumentoi se besimi tek ndëshkimi i mbinatyrshëm i dha hov kompleksitetit politik.)

Ata studiuan prejardhjen nga një shoqëri udhëtarësh nëpër oqeane që e kishte fillesën në Tajvan, por më pas kaluan nëpër Paqësor deri në jug në Zelandën e Re, dhe në lindje deri në ishullin e Pashkëve. Grupi ishte ndërkohë jashtëzakonisht i ndryshëm, duke përfshirë edhe dy komunitete të vogla egalitare me bazë familjare në Isneg të Filipineve, dhe shoqëritë e mëdha të Ishujve Havai, të cilat ishin shtëpia e shteteve komplekse me familje mbretërore, skllevër, dhe me një popullsi prej 100.000 banorësh që shpesh hynin në konflikt me njëri-tjetrin.

Duke u bazuar tek të dhënat historike dhe etnografike, hulumtuesit i vlerësuan kulturat në bazë të nivelit të tyre të shtresëzimit dhe identifikuan ato që praktikonin ritualin e flijimit të njerëzve. Motivet dhe mënyrat e vrasjeve ndryshonin tek të gjithë kulturat:Sakrificat mund të kërkoheshin për vdekjen e një shefi, ndërtimin i një shtëpie, fillimin e një lufte, shpërthimin e ndonjë sëmundje apo shkeljen e një tabuje shoqërore.

Viktimat mund të mbyteshin në tokë, në ujë, digjeshin, varroseshin të gjallë, shtypeshin me një barkë të sapo-ndërtuar ose mbështilleshin me një rrogoz dhe më pas u pritej koka. Por lidhja mes flijimeve dhe hierarkive sociale, duket se i kapërcen këto dallime. Viktimat qenë pothuajse gjithmonë të një statusi social të ulët, dhe sa më shumë e shtresëzuar të ishte kultura, aq më të përhapura kishin të ngjarë të ishin vrasjet rituale.

Nga 20 shoqëritë e “egalitare” që ata studiuan – u quajtën kështu për shkak se nuk lejonin trashëgiminë e pasurisë dhe statusit mes brezave – vetëm 25 përqind e tyre e praktikonin sakrificën njerëzore. Në të kundërt, 37 përqind e 46 shoqërive të shtresëzuara në mënyrë të moderuar – ku pasuria dhe statusi mund të trashëgoheshin, por nuk ishte e lidhur domosdoshmërisht me standardet shumë të ndryshme të jetesës ose klasave të privilegjuara sociale – e përdornin atë praktikë.

Dhe në mesin e 27 kulturave shumë të shtresëzuara, ku dallimet e trashëguara mes klasave zbatoheshin në mënyrë rigoroze me pak mundësi për mobilitet social, një shumicë dërrmuese prej 65 përqind kryente vrasjet rituale. Pemët filogjenike ilustruan se vrasjet rituale prireshin për t’i paraprirë hierarkive shoqërore, dhe pasi ndodhi shtresëzimi, ato shërbyen për ta përforcuar këtë të fundit.

Ishte shumë e vështirë për një kulturë të kthehej tek barazia, pasi diferencat mes klasave qenë vendosur njëherë. Ky konstatim mbështet “hipotezën e kontrollit social” të sakrificës njerëzore, thanë studiuesit. Kjo ide sugjeron se vrasjet rituale janë një mënyrë për të terrorizuar njerëzit deri në nënshtrim, duke i lejuar udhëheqësit fetarë dhe politike (dhe në shumë kultura, ata ishin një dhe të njëjtët), të urdhërojnë vrasjet për të konsoliduar pushtetin pa patur kundërshtarë.

Duke folur për ‘Smithsonian Magazine’, drejtuesi i ekipit kërkues Xhozef Uots, vuri në dukje se vrasjet rituale kanë ndodhur shpesh në ceremonitë e ndërlikuara që shfrytëzoheshin si si një shou televiziv sot:”Kjo nuk është vetëm një çështje e vrasjes në mënyrë efikase. Është më shumë se kaq. Terrori dhe spektakli i aktit maksimizohen në efektin e vet”.

Frika që frymëzonin flijimet njerëzore, shërbenin si një hap “për të ndihmuar në ndërtimin dhe ruajtjen e pushtetit në shoqëritë e hershme hierarkike”- shkruan Uots në faqen e tij në internet. Pasi autoriteti i tyre bëhej absolut, elitat mund të përdorin metoda më tradicionale – të policimit, taksimin, luftës – për të ruajtur sistemin e klasës në vend.

“Njerëzit shpesh thonë se feja mbështet moralin”- është shprehur Uots për revistën ‘Science’. Por ai shton se studimi i tij ilustron se si ritualet fetare të sakrificës njerëzore janë të dizajnuara shpesh për t’i shërbyer dikujt tjetër, përveç perëndive:”Kjo dëshmon se si feja mund të shfrytëzohet nga elitat sociale për të mirën e tyre”. Sigurisht kjo është një ide shumë e zymtë. Por mund të ketë qenë e nevojshme.

Ndarja e njerëzve në grupe me pasuri dhe status të pabarabartë, ishte jetike për zhvillimin e qytetërimit modern, shkruan Uots. Hierarkitë ndihmuan në rritjen e qyteteve dhe perandorive të mëdha, të afta për të ndërmarrë projekte masive të punëve publike dhe krijimin e veprave të paçmuara të artit.  Sigurisht, njerëz të panumërt u shtypën (dhe, sipas këtij studimi vrarë) në këtë proces.

Por gjithësesi, klasa ishte jetike për të na sjellë këtu ku jemi sot. “Unë mendoj se është absolutisht një projekt i rëndësishëm”- tha psikologu Xhozef Hainrish nga Universiteti i British Columbia për ‘Neë Scientist’. “Flijimi duket se është kryer në shoqëritë e gjithë botës”. Por ai shprehu dyshime rreth përfundimeve të studimit. Edhe pse sakrifica njerëzore mund të ketë qenë e lidhur me shtresëzimin në shoqëritë austroneziane, Hainrish u shpreh mosbesues për analizën filogjenetike të përdorur për të provuar se lidhja qe shkakësore.

Ky mjet supozon se shtresat sociale dhe ritualet fetare zhvillohen përmes brezave, në të njëjtën mënyrë si gjuha. Hainrish thotë se sakrifica njerëzore është zhdukur në një rajon prej disa qindra vjetësh, por gjuhë vazhdon të trashëgohet ende nga prindi tek fëmija – duke dëshmuar se këto dy aspekte të kulturës nuk janë të detyruara të zhvillohen në të njëjtën mënyrë.

Ekziston ndërkohë rreziku i teprimit me përgjithësimet e përfundimeve të studimit. Ajo që është e vërtetë për vrasjet rituale në kulturat austroneziane, mund të mos zbatohet për aztekët apo egjiptianët e lashtë. Dhe çfarëdo roli që mund të ketë luajtur sakrifica njerëzore në ato shoqëri, ajo mbetet ende vetëm një nga aspektet e kulturës – dhe s’mund të bëhet tërësisht përgjegjëse për hierarkitë komplekse dhe sistemeve e ngurta klasore, të cilat kanë dominuar prej kohësh pjesën më të madhe të botës moderne.

Megjithatë, studiuesit e fesë u shprehën se qenë të kënaqur të shihnin një analizë rigoroze të dhënave, si ai i përdorur në studimin e publikuar tek ‘Nature’. “Studimi i fesë ka qenë i infektuar në shumë aspekte nga një bollëk idesh dhe mungesa e testeve të forta sasiore të këtyre ideve”- shprehet Riçhard Sosis, një ekspert mbi sjelljen ekologjike të njeriut në Universitetin e Konektikatit për ‘Science‘.  “Këto metoda kanë fuqi, dhe me siguri përbëjnë një hap përpara mbi  mënyrën se mund të vlerësojmë idetë. A janë ato pjesa e fundit e enigmës? Jo!” Por, shtoi ai, “të paktën diskutimi mund të fillojë këtu dhe në një mënyrë sistematike që nuk ka ndodhur më parë”. /Bota.al