Një mënyrë alternative për të reduktuar ankthin dhe depresionin është propozuar nga studiuesit britanikë, duke theksuar efektin pozitiv të një vitamine në disponimin tonë mendor.

Vitamina B6 duket se ndihmon në reduktimin e ankthit dhe depresionit, sipas një studimi të ri të publikuar në Human Psychopharmacology.

Studiuesit matën efektin e dozave të larta të vitaminës B6 tek të rinjtë dhe zbuluan se pjesëmarrësit raportuan nivele më të ulëta të ankthit dhe depresionit pas marrjes së suplementit çdo ditë për një muaj.

Sipas Dr David Field, autori kryesor i studimit “funksioni i trurit mbështetet në një ekuilibër delikat midis neuroneve ngacmuese që bartin informacion dhe neuroneve frenues, të cilët parandalojnë aktivitetin kolateral”.

Ai thekson se, vitamina B6 ndihmon trupin tonë të prodhojë një transmetues kimik specifik që pengon impulset në tru dhe bazuar në studim, kjo ka një efekt qetësues duke kontribuar në uljen e ankthit.

Në studim, studiuesit u fokusuan në rolin e mundshëm të B6, i cili dihet se rrit prodhimin e Acidit G-Aminobutyric (GABA), i cili pengon impulset e trurit midis qelizave nervore.

Më shumë se 300 vullnetarë të përzgjedhur rastësisht morën B6 ose B12 në formë suplementi, në doza ditore, dhe studiuestit vunë re se B12 kishte pak efekt, ndërsa B6 kishte një ndryshim statistikisht domethënës.

Nivelet e rritura të GABA në mesin e pjesëmarrësve që kishin marrë suplemente të vitaminës B6 u konfirmuan nga testet e kryera në fund të studimit, gjë që përforcon teorinë se B6 ishte përgjegjëse për reduktimin e ankthit.

U zbuluan gjithashtu ndryshime delikate, por të padëmshme në funksionalitetin vizual, në përputhje me nivelet e kontrolluara të aktivitetit të trurit.

Shumë ushqime, duke përfshirë tonin, qiqrat dhe shumë fruta dhe perime janë të pasura me vitaminë B6.

Dhe është e rëndësishme të mbani mend se rezultatet janë paraprake dhe se efekti i B6 në ankth është i vogël, krahasuar me mjekimin klasik. Megjithatë, një ndërhyrje ushqyese ka qartësisht më pak efekte anësore sesa ilaçet, gjë që e bën atë më tërheqës për pacientët sipas studiuesve.