Portin e Durrësit së shpejti mund ta shohim në 3D. Projekti që dy studentë të degës Multimedia, në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit kanë startuar rreth 7 muaj më parë, ka marrë formë tashmë.

Ideja e dy të rinjve nisi gjatë një workshop-i dedikuar programit Unity dhe tashmë përmes teknologjisë së realitetit virtual mund të eksplorohet porti më i madh i vendit tonë.  

Për të krijuar realitetin 3D, dy studentët Ergi Pane dhe Ibrahim Basha janë bazuar në foto të gjetura në motorin e kërkimit Google.

“Vështirësitë kanë qenë shumë të mëdha, që nga programi me të cilin nuk kemi qenë shumë praktikë, sepse nuk e kemi njohur më parë. Gjithçka nisi nga një iniciativë e momentit.

Vështirësi tjetër ka qenë realizimi përmes fotove, që kemi gjetur në Google, sidomos për portin e vjetër.

Ndërsa për atë sesi është porti aktualisht ka qenë pak më e thjeshtë, por gjatë punës na dalin vështirësi më të mëdha për shkak se ka më shumë objekte sepse porti i shekullit të kaluar”,– rrëfen për “DurrësLajm”, studenti Ergi Pane.

Aplikacioni është zhvilluar duke përdorur modelimin 3D dhe asete të gatshme. Për realizuesit e tij vendi ideal për ta bërë të aksesueshëm këtë punim do të ishte porti i Durrësit.

“Qëllimi ynë është që pasi të përfundojmë projektin, të instalojmë një njësi kompjuteri së bashku me syzet e realitetit virtual. Në Durrës çdo vit po vijnë turistë, prandaj do ishte gjë e bukur që të mësonin rreth historisë së qytetit”.

Nëse vendosni syzet e realitetit virtual, udhëtimi juaj nis me portin e vjetër, për të kaluar më pas në portin aktual.

“Projektin e kemi bërë në formë timeline. Në momentin që vendosni syzet e realitetit virtual, udhëtimi nis nga pikënisja që ne kemi vendosur, porti i vjetër. Kështu nis ecja virtuale”,– thotë studenti i Multimedias.

I gjithë aplikacioni është punuar në laboratorin e Teknologjisë Virtuale dhe Inovacionit (Vtech & Innovation Hub) në UAMD, i cili është i pari i këtij lloji në vendin tonë.

I inauguruar 1 vit e gjysëm më parë, laboratori po ndihmon studentët dhe stafin akademik në fushën e kërkimit shkencor.

M.B.