Koalicioni qeveritar i përbërë nga tri parti dhe i drejtuar nga kancelari Olaf Scholz, shënoi humbje në zgjedhjet e zhvilluara në landet e Bavarisë dhe Heseni. I vështirë për Scholz dhe socialdemokratët e tij ishte sidomos fakti që rezultati i marrë në të dy landet federale ka qenë rezultati më i keq, arritur ndonjëherë në zgjedhjet e landeve në gjithë historinë e Republikës Federale. Kurse partneri liberal-demokrat në qeveri, partia FDP, në Bavari nuk arriti të hynte madje as në parlamentin e landit.
Ndërkohë fitore ka pasur partia pjesërisht ekstreme e djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD). Kjo parti, e cilësuar nga shërbimi informativ i vendit se dyshohet që të jetë antikushtetuese, morri rezultate rekord në zgjedhjet në të dy landet. Në Bavari, AfD morri 14,6 përqind të votave, duke u kthyer në forcën e tretë politike të landit, në Hesen morri 18,4 përqind duke u kthyer në forcën e dytë më të madhe politike të landit.
Rrëshqitje nga e djathta në Gjermani
Në përgjithësi këto zgjedhje nuk kanë ndikim direkt në raportet e forcave politike në Gjermani, sepse aleanca qeveritare mund të vazhdojë të qeverisë si në Bavari edhe në Hesen duke u udhëhequr nga konservatorët. “Në Gjermani vazhdon të dominojnë forcat politike të qendrës,” thotë studiuesi i shkencave politike, Karl-Rudolf Korte, kur analizon rezultatin e zgjedhjeve për stacionin e dytë televiziv gjerman, (ZDF). “Por pas kësaj ne shohim se rrëshqitja djathtas nuk ka ndodhur vetëm në diskutimin publik, por po ndodh edhe në zgjedhje,” thotë Korte.
AfD luftoi në fushatën zgjedhore kryesisht me temën e azilit dhe migracionit. Kjo parti kërkon dëbimin nga Gjermania dhe Europa të miliona azilkërkuesve. Dhe ajo nxit prej vitesh frikën nga myslimanët dhe emigrantët, sidomos atyre që vijnë nga Afrika, Afganistani dhe Lindja e Mesme.
AfD kërkon të kufizojë shumë ardhjen e migrantëve në Gjermani. Duket se kjo gjë pritet mirë nga shumë votues: sipas shifrave aktuale të Institutit Infratest dimap që merret me studimin e opinionit, AfD mund të marrë mbështetjen e zgjedhësve që vijnë nga të gjitha kampet politike. Ajo është kthyer në forcën e dytë politike më të madhe, mes të rinjve. Infratest dimap analizon, se AfD është duke u zgjedhur gjithnjë e më shumë për shkak të bindjeve, dhe jo si protestë ndaj partive të etabluara deri më sot.
AfD kërkon dëbime masive
Në një konferencë shtypi të AfD, mbajtur për të komentuar rezultatin e zgjedhjeve, bashkëkryetarja e partisë, Alice Weidel, kritikoi Gjermaninë se lejon “pa frena” të hyjnë në vend njerëz nga Iraku, Siria dhe vende të tjera. Weidel kërkon që: “Duhet të ndalohet menjëherë ardhja e njerëzve të tjerë nga këto vende.” Por ajo nuk flet, për faktin se pjesa më e madhe e azilkërkuesve vijnë nga vende si Siria, të cilët kanë të drejtë të kërkojnë azil, dhe kështu qëndrimi i tyre në Gjermani është i ligjshëm.
Tema e azilit sundon debatin politik në Gjermani prej muajsh. Kërkesat për shtimin e numrit të dëbimeve të azilkërkuesve të cilëve u është refuzuar e drejta e azilit, janë bërë më të zëshme. Shifrat e azilkërkuesve janë rritur sërish. Në vitin 2023, përfshirë edhe shtatorin janë bërë 250 mijë kërkesa azili në Gjermani, shifër kjo që është më e madhe se shifra e përgjithshme e gjithë vitit të kaluar. Shumica e azilkërkuesve, sipas të dhënave të autoriteteve kanë të drejtë të kërkojnë mbrojtje, pra kanë të drejtë të qëndrojnë. Në debatin që bëhet për azilin, janë shtuar zërat që kërkojnë kufizimin e shifrave, pa thënë si mund të bëhet kjo.
Sidomos kristiandemokratët dhe socialdemokratët konservatorë kanë kapur temën e azilit dhe migracionit. Një ditë pas zgjedhjeve në Bavari dhe Hesen, kancelari Scholz kërkoi që të veprohet në politikën e migracionit. “Ne shohim se atmosfera po ndryshon në Gjermani,” tha në revistën televizive të mëngjesit të televizionit ARD, sekretari i përgjithshëm i kristiandemokratëve, Carsten Linnemann, duke pasur parasysh shifrat e larta të refugjatëve.
Shkollat dhe kopshtet nuk kanë personel të mjaftueshëm për t’u kujdesur për fëmijët, rëndimi shoqëror shihet edhe në sistemin e shëndetësisë. Ky është rënduar edhe më shumë nga refugjatët. Sipas vlerësimeve të shoqatës federale të mjekëve të sigurimeve shoqërore, ky pretendim nuk është i vërtetë. “Arsyeja nuk ka të bëjë me azilkërkuesit e refuzuar, por me financimin e keq të sistemit shëndetësor, në mënyrë të vazhdueshme”, tha në intervistë me ZDF, kryetari i kryesisë, Andreas Gassen.
E drejta e azilit përgjegjësi historike
Diskutimi për azilin dhe migracionin do të nxisë shpejt që qeverija të veprojë. Kryetarja e partisë socialdemokrate në pushtet, Saskia Esken premtoi marrjen shpejt të vendimeve për temën e migracionit: “Kancleri Olaf Scholz u ka kërkuar landeve, komunave dhe Unionit Kristiandemokrat të bashkëpunojnë në këtë fushë,” tha Esken mbas takimit të kryesive të partive.
Ndërkohë shumë shoqata dhe organizata paralajmërojnë për rreziqet e reduktimit të të drejtave të azilit në Gjermani. Një grup i përbërë nga 270 shkencëtare dhe shkencëtarë kanë kërkuar që Gjermania të mbajë përgjegjësi historike. Në një deklaratë thuhet: “Në Luftën e Dytë Botërore dhuna nacionalsocialiste shkaktoi përndjekjen, dëbimin dhe vrasjen e miliona njerëzve. Përpjekjet për të bërë bashkë komunitetin ndërkombëtar që të pranonte refugjatët hebrej dhe refugjatët e tjerë, dështuan. Megjithëse rrezikoheshin nga vdekja, shumë njerëz u gjendën para dyerve të mbyllura.”
Në vend që të shtijë frikën nga migrantët dhe refugjatët, politika duhet të zhvillojë një debat “të orientuar nga faktet, të dhënat empirike dhe një debat konstruktiv”.