Një vajzë adoleshente “e burgosur” në karrike me rrota, që në moshën 15-vjeçare, për shkak të një aksidenti tragjik në det.
Klithmat e Barbarës në monodramën “Nuk doja të vdisja e virgjër” janë ato të një shpirti që vuan dhe nuk gjen qetësi e dashuri.
Po ndërsa trupi vuan paaftësinë për shkak të aftësive të kufizuara, zemra dhe truri i Barbarës ka po të njëjtat dëshira, ëndrra dhe shpresa si shumë bashkëmoshatare të saj.
“Më shumë sesa përmbushjen e dëshirave të saj seksuale, vajza e re kërkon të mos mbetet e virgjër në përvojat jetësore, eksperiencat, gabimet, dështimet, por edhe sukseset”,- thotë regjisori i shfaqjes Gjergj Mena.
Shfaqja teatrale që mbrëmë erdhi për publikun durrsak në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” mbart në vetvete dramën e shkrimtares italiane Barbara Garlaschelli, e cila është me aftësi të kufizuara.
Aktorja Ina Gjonçi rrëfen vështirësitë, por mbi të gjitha përgjegjësinë që ka ndjerë për të sjellë në skenë dhimbjen, guximin, forcën, shpesh dhe autoironinë, e personave me aftësi të kufizuara.
Pavarësisht kufizimeve fizike, Barbara e kërkon dhe e gjen dashurinë. Kjo shfaqje teatrale synon të shërbejë si një moment reflektimi për të drejtat e personave PAK, por edhe të hapë diskutime në lidhje me temën tabu të seksualitetit dhe marrëdhënieve intime të personave me aftësi të kufizuar.
M.B.