Aksidenti tragjik në Shalë ku humbi jetën turistja gjermane 31-vjeçare nuk është një rast i izoluar.

Gjatë këtij sezoni turistik, në vendin tonë kanë humbur jetën 16 turistë, të cilët janë përfshirë në aksidente rrugore apo në incidente në atraksionet turistike që kishin zgjedhur të vizitonin.

Për shkak të aksidenteve rrugore, kanë humbur jetën 4 turistë, ndërsa të tjerët kanë mbetur viktima duke bërë sporte në lumenj apo në lartësi. I ngjashëm me rastin e turistes gjermane në Shalë ishte dhe ai i datës 9 maj, ku dy vajza, një belge dhe një franceze, duke kaluar në këmbë nga Thethi drejt Valbonës pa udhërrëfyes u rrëzuan në humnerë dhe humbën jetën.

Jetë turistësh kanë marrë edhe lumenjtë. Në kanionet e Osumit më 11 maj u mbyt një turist holandez ndërsa në kanionet e Langaricës më 31 mars u mbyt një 66-vjeçare gjermane, ndërsa bashkëshorti i saj mundi të shpëtojë. Në të gjitha këto raste turistët nuk kanë qenë të shoqëruar me guida profesioniste.

“Guida është e domosdoshme sepse i di rreziqet dhe kohën e përshtatshme për të kryer udhëtimin. Edhe në rast incidentesh di ti vijë në ndihmë turistit“, thotë udhërrëfyesi Emanuel Pjetri.

“Guida është e domosdoshme sidomos në destinacionet ku bëhet sport. Duhet të jenë profesionistë. Por shpesh turistët nuk i marrin guidat se nuk duan të shpenzojnë”, shpjegon Fiorida Zani, drejtuese agjencie turistike.

Turistët me të pabindur sipas agjencive turistike janë europianët e kryesuar nga çekët, të cilët shpesh nuk marrin guida profesionale por zgjedhin të shoqërohen nga një miku i tyre që e ka vizituar më herët Shqipërinë. /TCH