260 mijë doza të vaksinës kundër gripit janë shpërndarë në të gjithë vendin.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u bëri thirrje qytetarëve e veçanërisht grupeve të riskuara që të bëjnë dozën e vaksinës kundër gripit.

Janë 260 mijë doza vaksinash që janë siguruar për të gjitha qendrat shëndetësore në mbarë vendin. Instituti i Shëndetit Publik së bashku me Operatorin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor janë duke mundësuar shpërndarjen pranë mjekëve të familjeve, duke diagnostikuar gjithë grupet e riskuara. Janë të ftuar, dhe u bëj thirrje që t’u drejtohen qendrave shëndetësore me qëllim që të bëjnë dozën e vaksinës kundër gripit”, u shpreh Ministrja Koçiu nga Qendra Shëndetësore nr. 1 në Tiranë.

Në grupin e personave të rrezikuar bëjnë pjesë individët e moshës së tretë mbi 60 vjeç, fëmijët nga 6 muajsh deri në 12 vjeç, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kardiovaskulare, personat me sëmundje pulmonare apo astëm bronkiale, diabetikët, personat me sëmundje kronike të mëlçisë ose veshkave, të sëmurët me tumor/kancer, personat obezë, personat me imunitet të dobët, etj.