Disa zyrtarë të Autoritetit Rrugor në Durrës janë arrestuar me urdhër të Prokurorisë, ndërsa  është shpallur në kërkim nga policia biznesmeni Mustafa Koka.

Mësohet se operacioni që ka çuar në pranga inxhinierë të ARRSH Durrës, është iniciuar nga Prokuroria e qytetit bregdetar dhe është vënë në zbatim në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ai ka të bëjë me abuzimet me disa tendera për mirëmbajtjen e rrugëve në këtë qytet, ndërsa dyshohet se dëmi që i është shkaktuar shtetit kap vlerën e 200 milionë lekëve të vjetër.

Operacioni vijon të jetë ende në zhvillim e sipër, ndërkohë pritet të zbardhen dhe emrat e të arrestuarve.

Mustafa Koka, sipas burimeve të policisë është ndërtuesi i një karburanti në rrugën kombëtare që lidh zonën e Plepave me Kavajë. Për këtë karburant ai është shpronësuar me mbi 200 milionë lekë të vjetër nga ARRSH, pasi sipërfaqen e truallit dhe karburantit ia kapte plani për zgjerimin e rrugës. 

Por nëpërmjet dokumentave të falsifikuara, Mustafa Koka, dhe me ndihmën e zyrtarëve të ARRSH-së, të cilët thonë burimet kanë shpërdoruar detyrën, ka prishur barrierën mbajtëse të rrugës, duke krijuar hyrje-dalje në rrugën kryesore të paligjshme, raporton “Shqiptarja.com”.

Ky veprim është kryer me argumentin se sipërfaqja e tokës ku është ndërtuar rruga, vijonte të ishte e biznesmenit Mustafa Koka, kur në fakt nga verifikimi i dokumentacionit, ky i fundit rezultonte të ishte shpronësuar nga ARRSH-ja, disa vite më parë. Prishja e barrierës së rrugës nga biznesmeni Koka, është kryer pasi disa metra më larg ai ka ndërtuar një karburant tjetër.