Sot është përvjetori i hapjes së Shkollës së Parë Shqipe për Vajza (23 tetor 1891), me Sevasti Qiriazi në krye.
Nesër, Gjimnazi i ri “Sevasti Qiriazi” Tiranë, feston njëvjetorin e tij, dhe aty do të promovohet një libër që u përdor nga Sevastia.
Klikoni mbi linkun, ku mund të shkarkoni paketën e njoftimit, historikun, imazhe dhe fotografi që mund të përdorni, nga David Hosaflook, PhD, Drejtori ekzekutiv, Instituti për Studime Shqiptare dhe Protestant.
Shkolla e parë e vajzave, Korçë apo Shkolla shqipe e vashave në Korçë ishte një shkollë për vajza që u hap më 23 tetor 1891 në Korçë. Me hapjen e konviktit në 1900, u krijua mundësia që shumë vajza nga krahina të tjera të studionin aty
Themelimi i shkollës së parë shqipe në Korçë të njohur zyrtarisht në Korçë më 1887, frymëzoi Gjerasim Qiriazin dhe motrën e tij Sevasti Qiriazi-Dakon të hapin një shkollë për vajza. Me ndihmën e Naim Frashrit dhe veçanërisht misionarëve amerikan dhe anglez ata i siguruar lejet e nevojshme nga Stambolli.
Personeli i shkollës në vitet e para sipas Polikseni Luarasit përbëhej nga: Gjerasim Qiriazi, drejtor, Sevasti Qiriazi, Thanas Sina Postenani dhe Fanka Eftim. Mësues të tjerë që kanë dhënë mësim në këtë shkollë janë edhe patriotët e shquar Grigor e Katerina Cilka, Gjergj Qiriazi, Kristo Dako, Parashqevi Qiriazi, nxënëse të kësaj shkolle Polikseni Luarasi, Helidhona Titu (Falli), amerikanët Fineas e Violet Kenedi të Misionit Amerikan, etj. Në planin mësimor të shkollës përfshiheshin 18 lëndë (shoqërore, shkencore e artistike) midis të cilave mësimi i lexim-shkrimit shqip, gramatika shqipe, historia e Shqipërisë etj.
Shkolla u hap në shtëpinë e Grigor Eliadhe Frashërit, pranë kishës së Shën Gjergjit, shtëpi në të cilën Gjerasimi me të motrën Sevastia banonin me qira. Sevastia kujton se atë ditë erdhën “tri vajza mjaft inteligjente e premtuese, vetëm për shkak të lajmit që ishte përhapur në qytet. Fillimi ishte shumë i thjeshtë, por kur mbyllëm vitin shkollor, në qershor, numri kishte arritur në 27 nxënëse, më shumë nga çfarë kishim guxuar edhe të shpresonim si fillim lidhur me punimin e një toke kaq të fortë”.
Polikseni (Dhespoti) Luarasi, e shoqja e patriotit Kristo Luarasi, një nga tri nxënëset e para të kësaj shkolle dhe e diplomuara e parë e saj e kujton kështu hapjen e shkollës shqipe të vashave: “Shkolla u hap në një dhomë të shtëpisë ku banonte Gjerasim Qiriazi. Dhomën e ktheu në një sallë mësimi: vuri ca bango sipas moshës së nxënësve, rregulloi një katedër për mësonjësin, një dërrasë të zezë për të shkruar dhe harta gjeografike nëpër mure. Kështu lindi bërthama e parë e shkollës shqipe të vashave në Korçë.”
Në shtator 1892 shkolla u çel në ndërtesën e re që bleu Gjerasimi në lagjen e re aty afër vendit që quhej “Çezma e Arave”. Aty vazhdoi derisa u mbyll më 10 korrik të vitit 1914.
Hierarkia e Kishës Ordodokse kundërshtoi me ngulm shkollën që nga fillimi. Më 14 nëntor 1892 Gjerasim Qiriazi themeloi Vëllazërinë Evangjeliste të Shqipërisë në Korçë dhe mbante shërbime në objektin e shkollës. Për shkak të popullaritetit tij, për një kohë edhe Kisha Ortodokse filloi të mbaj shërbesa në shqip. Gjerasim Qiriazi ishte autor i poezive, këngëve, skeçeve, dialogjeve dhe librave shkollor dhe redaktoj dhe përkthej tekste për Shoqërinë Biblike dhe për shkollën.
Që nga viti i parë i çeljes së kësaj shkolle 1891 deri në vitin 1913, numërohen 23 vite shkollore. Kanë studiuar 1028 nxënëse. Numri mesatar i nxënëseve ka qenë rreth 44 nxënëse në vit. Viti 1905-1906 viti me numrin më të madh: 87 nxënëse.
Pas vdekjes së Gjerasimit në vitin 1894, vendin e tij e zuri i vëllai Gjergj Qiriazi e më pas Thanas Sina e Grigor Cilka.
Edit Durham, pas vizitës në Korçë në vitin 1903 e përshkruante kështu shkollën e Vashave: “Zonjusha Kyrias (Sevasti Qiriazi), një grua shumë e përgatitur dhe kurajoze, pati shkuar në Amerikë me ndihmën e misionarëve amerikanë, qe trajnuar atje dhe kur u kthye në Korçë qe emëruar drejtoreshë e një shkolle femërore nën patronazhin e Misionit Amerikan. Sevasti përdorte tekste shkollorë amerikanë dhe jepte mësim në gjuhën shqipe. Mbas mbylljes së shkollës mashkullore të Korçës, kjo mbeti e vetmja shkollë në Shqipërinë Jugore, ku mund të mësohej shkrim e këndim në gjuhën shqipe. Edhe pse frekuentimi i asaj shkolle sillte rrezikun që vajzat dhe prindërit të ishin persekutuar nga autoritetet turke, klasat ishin gjithmonë plot. Vajzat krishtere dhe myslimane mësonin të shkruanin dhe të lexonin në shqip dhe i mësonin edhe vëllezërve të tyre. Shkolla e Vashave ishte kaq moderne sa që më dukej se isha kthyer papritur në Europë”.
Në vitin 1907 autoritetet osmane u përpoqën ta mbyllnin shkollën, por pa sukses. U tentua përsëri të mbyllej në vitin 1910, por tashmë shkolla ndodhej nën administrimin dhe mbrojtjen direkte të Misionit Amerikan, i cili kishte një marrëveshje me Portën e Lartë për ushtrim të lirë të veprimtarisë. Prandaj përfaqësues i këtij misioni në Korçë protestoi dhe refuzoi që kjo shkollë të mbyllej. Shkolla u mbyll më 10 korrik 1914 kur kishte nisur Lufta e Parë Botërore dhe ushtria greke kishte hyrë në Korçë.
Shkolla është një monument i trashëgimisë kulturore në rrethin e Korçës, në qarkun e Korçës, Shqipëri. Ky monument është i llojit “Arkitekture”, i miratuar me numër “1886” më “10.06.1973”.