Rruga e Kombit, investimi më madhor në infrastrukturën e transportit po rezulton një aks me fizibilitet të lartë pasi numri i përdoruesve po rritet me shpejtësi nga viti në vit.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se numri i pasagjerëve që hynë dhe dolën nga pika doganore e Morinit arriti në 8,1 milionë më 2022, të cilët në të njëjtën kohë ishin edhe përdorues të autostradës.

Fluksi i pasagjerëve shënoi rritje me 22.6% në krahasim me vitin 2021, ndërsa në raport me vitin 2020, fluksi i pasagjerëve u rrit më shumë se dyfishi (shiko të dhënat në grafikun e mëposhtëm).

Të dhënat operative tregojnë se fluksi i lëvizjeve ka shënuar rritje të shpejtë edhe në vitin 2023. Ministra e Turizmit raporton se vizitorët nga Kosova gjatë periudhës janar-gusht 2023 u rritën me 17% në krahasim me të njëjtën periudhe të një viti më parë.

Gjithashtu shkëmbimi i mallrave ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë nga Rruga e Kombit u rrit me rreth 3 herë, që nga viti 2008, para se të hapej qarkullimi, deri në vitin 2022.

Rruga e Kombit është shndërruar në gjeneratorin kryesor të turizmit në qendrat turistike të Durrësit, Lezhës dhe Velipojës.

Fluksi i përdoruesve do të rritet më tej në Rrugën e Kombit me klasifikimin si zgjatim i rrjetit rrugor kryesor europian, TEN-T.

Serbia po ndërton vazhdimësinë e pjesës së saj nga Nishi në Merdarë (kufiri me Kosovën) dhe Kosova nga ana saj, me financimin e Bashkimit Europian, po përparon me projektet në pjesën nga Prishtina deri në Merdarë.

E cilësuar Autostrada e Paqes, pasi bashkon Kosovën, Serbinë dhe Shqipërinë, me një rrugë të standardit të lartë, ajo ka marrë financimet e Bashkimit Europian.

Autostrada e Paqes është gjithsej 314 kilometra e gjatë, teksa nis nga Lezha në Shqipëri dhe përfundon në Merdarë, kufiri me Bullgarinë, duke përshkruar Prishtinën dhe Nishin.

Pjesa e përfunduar është nga Lezha në Prishtinë dhe mbeten për t’u ndërtuar edhe 103 kilometra, nga Prishtina në Merdarë, nga të cilat 76 km në territorin e Serbisë dhe 27 km në atë të Kosovës. Kosto totale për këto kilometra është rreth 947 milionë euro.

Ndërsa nga Prishtina në Merdarë janë 27 kilometra që do të kushtojnë 207 milionë euro.

Vijimësia e Rrugës së Kombit bashkë-financohet nga Banka Europiane e Investimeve (EIB) dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ndërsa Bashkimi Europian po ofron grante investimesh përmes Kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

I gjithë projekti është pjesë zgjatuese e Rrjetit të Transportit Trans-Europian të zgjeruar të Orientit/Mesdheut Lindor (TEN-T) dhe Observatorit të Transportit të Europës Juglindore (SEETO), një korridor gjatë që lidh Lezhën në Shqipëri përmes Prishtinës në Kosovë në Nish të Serbisë, sipas të dhënave nga korniza e investimeve në Ballkanin Perëndimor. /Monitor