Akademia Nobel ka ndarë sot Çmimin Nobel për Ekonomi për dy studiuesit, Paul Milgrom dhe Robert Wilson.

Dy ekonomistët kanë studiuar ankandet, se si funksionojnë ato dhe kanë përdorur njohuritë e tyre për të hartuar formate të reja ankandi për mallra dhe shërbime që janë të vështira për t’u shitur në një mënyrë tradicionale, siç janë radio frekuencat.

“Nga zbulimet e tyre kanë përfituar shitësit, blerësit dhe taksapaguesit në të gjithë botën”, thuhet në njoftimin e akademisë.

Duke përdorur teorinë e ankandit, studiuesit përpiqen të kuptojnë rezultatet e rregullave të ndryshme për ofertat dhe çmimet përfundimtare, formatin e ankandit. Analiza është e vështirë, sepse ofertuesit sillen në mënyrë strategjike, bazuar në informacionin e disponueshëm.

Robert Wilson zhvilloi teorinë për ankandet e objekteve me një vlerë të përbashkët, ndërsa Paul Milgrom tregoi pse ofertuesit racionalë priren të vendosin oferta nën vlerësimin e tyre më të mirë të vlerës së përbashkët.

“Laureatët e këtij viti në Shkencat Ekonomike filluan me teori themelore dhe më vonë përdorën rezultatet e tyre në zbatime praktike, të cilat janë përhapur globalisht. Zbulimet e tyre janë me përfitim të madh për shoqërinë”, thotë Peter Fredriksson, kryetari i Komitetit të Çmimeve.

Nobeli në Ekonomi mbyll edhe javën e çmimeve Nobel, dhe njihet teknikisht si “Çmimi Sveriges Riksbank” në Shkencat Ekonomike në kujtim të Alfred Nobel. Që nga themelimi më 1969, ai është dhënë 51 herë dhe tani konsiderohet gjerësisht një nga çmimet Nobel.

Së bashku me prestigjin e madh, çmimi vjen me një vlerë prej 10 milionë krona (1,1 milion dollarë) dhe një medalje të artë që do të shpërndahen në një ceremoni në Oslo, Norvegji, më 10 dhjetor, përvjetori i vdekjes së themeluesit të çmimit Alfred Nobel.