Qyteti kinez i Qingdaos po e teston tërë popullatën prej 9 milionë banorëve për Covid-19 brenda një periudhe prej pesë ditësh.

Testimi në masë vjen pasi u raportuan mbi 10 raste me koronavirus e që janë të ndërlidhura me një spital i cili po i trajton pacientët që vijnë nga jashtë.

Në maj, Kina testoi tërë qytetin e Wuhanit – vend ky me 11 milionë banorë dhe epiqendra e pandemisë globale, raporton BBC.

Vendi në masë të madhe e ka vënë nën kontroll virusin, ndonëse shumë vende tjera në botë ende janë duke u ballafaquar me shifra në rritje të të prekurve me virus e madje edhe me masa restriktive.

Në një deklaratë të postuar në rrjetin social kinez “Weibo”, Komisioni Komunal Shëndetësor tha se janë zbuluar gjashtë raste të reja dhe gjashtë raste asimptomatike.