Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë të premten se ai nuk e mbështet përparimin në negociatat për anëtarësim të Ukrainës në Bashkimin Evropian.

Me këto deklarata, ai ka dhënë shenja se shteti i tij mund t’i bllokojë ambiciet e Kievit për t’iu bashkuar bllokut evropian.

Liderët e BE-së pritet të vendosin në mesin e dhjetorit nëse Ukraina duhet të ftohet zyrtarisht për t’i nisur bisedimet për t’iu bashkuar bllokut me 27 vende anëtare, ndonëse Hungaria është parë edhe më herët si pengesë.

Për pranim të një shteti të ri në BE, duhet të ketë unanimitet mes vendeve anëtare.

Prandaj, kryeministri hungarez, Viktor Orban e ka në dorë një veto të fuqishme.

Të mërkurën, Komisioni Evropian ka rekomanduar që Ukraina duhet të lejohet t’i nisë negociatat, pasi të adresohen disa çështje.

Mirëpo, Orban ka thënë se shteti që po përballet me luftë, nuk është askund afër që t’i bashkohet bllokut më të madh tregtar në botë.

“Ukraina nuk është aspak gati për t’i negociuar ambiciet për t’iu bashkuar BE-së”, ka thënë Orban.

“Qëndrimi i qartë i Hungarisë është se negociatat nuk duhet të nisin”.

Qeveria e Orbanit ka refuzuar ta furnizojë Ukrainën me armë, teksa mbrohet prej pushtimit rus, dhe ka kërcënuar me vënien e vetos në paketën financiare të BE-së për Kievin.

Përveç Hungarisë edhe Sllovakia fqinje mund të jetë problematike në rrugën e Ukrainës drejt BE-së.

Kryeministri i saj i sapozgjedhur Robert Fico, ka kërcënuar me tërheqje të mbështetjes ushtarake të shtetit të tij për Ukrainën, dhe së fundi e ka quajtur Ukrainën, “një prej shteteve më të korruptuara në botë”.

Mirëpo në rekomandimin e së mërkurës, Komisioni Evropian e ka përgëzuar Ukrainën, duke thënë se qeveria atje ka treguar “nivel të lartë institucional, vendosmëri dhe aftësi për të funksionuar”.

Ukraina ka aplikuar për t’u anëtarësuar në BE, disa ditë pas nisjes së luftës së Rusisë në territorin e saj, më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.