Mungesa e infrastrukturës në zonën e ish-Kënetës ka bërë që paraditen e sotme një grup banorësh të dalin në protestë.
Prej shumë vitesh ata janë sorollatur nëpër institucione të ndryshme të qytetit bregdetar për të ngritur problematikën e tyre, por ende sot e kësaj dite nuk kanë marrë një zgjidhje për kanalet që vijojnë të jenë të hapura dhe rrugët e pa asfaltuara.
Situata mbetet e tillë prej më shumë se 25 vjetësh, por hyrja në sezonin e reshjeve ka risjellë sërish te banorët frikën e përmbytjeve.
Era kundërbuese që vjen nga kanali i hapur ku bashkohen ujërat e bardha dhe ato të zeza, vështirëson jetesën në këtë zonë ndërsa është prezent rreziku për përhapjen e infeksioneve të ndryshme për shkak të papastërtisë, në një kohë kur bota mbarë po përballet me pandeminë e Covid-19.
Banorët thonë se gjykohen se janë të ardhur nga zonat veriore ndaj nuk investohet në lagjen e tyre, ndërsa shprehen se ish-kryebashkiaku Vangjush Dako ju ka thënë se nuk i njeh si zonë.
“Kemi prej vitesh që kërkojmë zgjidhje në çdo institucion që të krijohet infrastrukturë, sepse sa herë bien shirat, zona përmbytet dhe po rrezikojmë të sëmuremi. Në këto kohë pandemish këtu ujërat e zeza na kalojnë në oborret e banesave. Kemi kërkuar zgjidhje nëpër institucione, por na paragjykojnë se jemi të ardhur dhe na kanë lënë në harresë.”
Banorët deklaruan të vendosur se do të vazhdojnë të ngrenë problemin e tyre në institucionet përkatëse, dhe se prej mëse një viti kanë mbledhur mbi 3500 firma nga banorët e zonës dhe i janë drejtuar bashkisë dhe ministrisë së Shëndetësisë për rrezikun që i kanoset, por siç ata deklarojnë, dokumentat dhe peticioni është lënë në harresë.