Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në Forumin e Medias për Europën Juglindore, ka deklaruar se pavarësisht se qeveria u tërhoq nga ligji për medien online, nuk po shohin vetërregullimin e premtuar.

“Isha në dyshime të vija apo të mos vija por nuk do të ishte gjë e mirë të mos u uroja mirëseardhjen kaq shumë njerëzve që vijnë në Shqipëri për gazetarinë.

Dua të ndaj me ju disa mendime rreth mbijetesës së gazetarisë dhe luftës për lirinë e fjalës. Nuk mendoj që pyetja është nëse gazetaria do të mbijetojë. Unë besoj se nëse do të vinte fundi i botës gazetaria është e fundit që do të vdesë. Ajo që është në rrezik ditët e sotme nuk është gazetaria, por e vërteta. Për shumë arsye gazetaria është bërë një përzierje e madhe mes të vërtetës dhe gënjeshtrës dhe për mendimin tim ky është një fakt.

‘Mendimet janë të lira, por faktet të shtrenjta’. Me këtë përballemi sot. Dëgjova për 21 sulme dhe kërcënime kundër gazetarëve në Shqipëri. Unë e di si fakt se çfarë do të thotë sulmi ndaj një gazetari, e di sepse e kam pësuar në lëkurë. Për shkak të rrethanave historike unë e njihja këtë luftë sepse kam qenë aty kur ishte duke u zhvilluar. Tani njoh abuzimin me të dyja. Sigurisht çdo sulm dhe kërcënim kundër gazetarëve është e neveritshme, por sa sulme bëjnë gazetarët çdo ditë ndaj njerëzve. E di që politikanët nuk janë njerëz, por ka edhe ca pjesë njeriu në çdo politikan. Jo shumë, por një dozë. Politikanët kanë familje, kanë fëmijë… Sinqerisht unë jam në solidaritet të plotë me çdo gazetar që sulmohet dhe kërcënohet. E kuptoj PSE-në, SI-në për të gjitha arsyet pse çdo organizatë e gazetarëve çohet në këmbë për të gjithë ata. Por sa shpesh qëllon që këto organizata gazetarësh çohen kundër vetes, kundër individëve në grupin e tyre që në emër të të qenurit gazetar i lejojnë vetes të jenë jashtë çdo përfytyrimi.

Disa vite më parë kishim disa përballje të jashtëzakonshme për shkak të përpjekjeve të palës tonë politike për të rregulluar medien online, dhe kjo përpjekje vazhdon të më ndjekë pas si hije. Në sensin që edhe pse u tërhoqëm dhe hoqëm dorë prej saj, jo sepse kam ndryshuar mendje por sepse solli një lloj mosmarrëveshje jashtë përmasave normale që shkonte në të kundërt me atë që ne donim të rregullonim, asokohe përgjigja ishte se duhet vetërregullim. Ka kaluar ca kohë ku ne nuk kemi vetërregullim. Ka njerëz që bëjnë gazetari profesioniste dhe të tjerë që mendojnë se me të qenurit gazetar, kanë një dorë të lirë dhe mund të bëjnë çfarë të duan. Dhe numri i gënjeshtrave, i përhapjes së gjysmë të vërtetave është i jashtëzakonshëm.

E kuptoj që politikanët duhet të veprojnë konform etikës, por si do të vihet në vend kjo anë tjetër e medaljes”, tha Rama.