Procesi i sapohapur ndaj ish-ministrit Beqja, po trajtohet nga media dhe analistët afër qeverisë me një gëzim të çuditshëm. Nuk është hera e parë, në fakt, që të njëjtët trubadurë tregojnë shkujdesje, në mos galdim për vartësit e Ramës që u prin fati drejt dyerve të burgut. Përposhtë kësaj idiome të gjuhës së pushtetit fle, së pari, garancia e tyre se sistemi është i lidhur me Ramën, apo se Rama është sistemi, dhe kësisoj ata nuk “e rruajnë” për kokat e prera, të cilat në një kontekst të tillë centralizimi të pushtetit dhe burimeve monetare që lidhen me të, janë asgjë më shumë se ‘zogj që vijnë e shkojnë”.

Kjo dëshmon se, deri në cilën palcë është kalbur sistemi që mban në këmbë Rama: të gjithë janë njëpërdorimsha dhe, kur hidhen, as mbrohen dhe as kujtohen. Nga askush dhe për asgjë.

Me një përjashtim: për të shërbyer si shembuj kontrasti, të jap një oficer më jep Mbretin, me Sali Berishën.

Mbrojtësit e qeverisë e bëjnë këtë për hir të interesave të tyre dhe, së dyti, për të qenë në valë me populizmin ekcentrik që ka ngritur në popull teza “drejtësia e re po merr hak për ne dhe shpata e saj po prêt në të dy anët”.

Për rrafshin e parë, proqeveritarët mbrojnë investimin e tyre apo garancitë që u jep sistemi i Ramës, nga i cili rrjedh para e konsiderueshme për ta, mediat dhe rrethin e tyre.

Për të dytin, pra unitetin në mizerjen e populizmit,  mund të thuhet  se, më shumë se përkatësi me popullin apo luajtja e rolit të mbrojtësve të vegjëlisë, lidhet me spesorin, si të ulët ashtu dhe të luhatur, intelektual. Vetmia përballë zulmës së turmës nuk është gjë e lehtë, dhe njerëzit, pjesa dërrmuese, mundohen ta shmangin. Media e Tiranës është e mbushur plot me asish që drejtojnë panele apo emisione, ku vlon ose gjaku i përrallës “o sa me mirë me qenë shqiptar” (a thua se me qenë suedez është tmerr), ose një pellazgologji e imagjinatës që e bën logosin (logjikën) një klasë me zgjedhje, jo të detyruar.  

Kjo mbrapshti lind edhe pasqyrat e shtrembëruara arkimediane, ku një zyrtari të lartë të Ramës dhe shefit të opozitës i jepet e njëjta relevancë. Për definicion, një kryetar opozite gëzon gjithmonë një status të posaçëm, sepse ai përfaqëson një pakicë politike me, në rastet e vendeve si Shqipëria, mjete edhe më të pakta dhe rrethana më të pafata për mbrojtjen. Kur ai është edhe ish-President dhe ish-Kryeministër, statusi njëjtësohet me virtytet ose të metat e shtetit si të tillë, dhe ky prizëm duhet ta ruajë të paktën prej ‘gjahut të shtrigave’.

Pa hyrë fare në lëndën e akuzës apo dyshimeve për njëri dhe tjetrin.  

Zelli për ta përdorur Beqjan si standard, shihni pra se si ky socialisti ynë qibar dorëzon ofiqet dhe i jepet SPAK-ut, kur demokrati i tyre shpërfill drejtësinë, thekson atë që Berisha kërkon. Të trajtohet sipas Kushtetutës, si deputetët e tjerë të PS, ose të votohet kërkesa e tij e kahershme që, si deputetët ashtu dhe secili qytetar të hetohet pa kufizime dhe mbrojtje mandati. Sfida e Berishës, sigurisht që është politike, dhe ka qenë e tillë edhe kur është bërë, edhe tani, por çfarë mjetesh të tjera përdor në politikë një njeri politik veç politikes. Nga ana tjetër, heroizimi i Beqjes, e shihni pra sa shumë e don drejtësinë Likja ynë sa dorëzon postin, harron gjënë kryesore: detyra e tij është pa mandat. Pra, ai nuk ka lëshuar asgjë sepse nuk ka asgjë për të dorëzuar. Është një zyrtar i emëruar, jo i zgjedhur. Ka një post nga Rama, jo një mandat nga populli.  Thjesht është instruktuar që të luajë të virtytshmin duke dorëzuar…çelësat e kashtës.

Kësisoj, mbrojtja e Beqjas në këtë linjë, pra virtytshmëria përballë vesit të Berishës, zbulon atë që kryetari i PD duket se pretendon me të drejtë: procesi ndaj tij është i dirigjuar.

Teza e zgjedhur për Beqjan ta përforcon këtë përshtypje. Shkujdesja për fatin e tij juridik apo më shumë, për atë nëse ai është i korruptuar ose jo, dëshmon atë që e majta e ka hereditare: partia (sistemi) ka rëndësi, krerët (dhe krenat) shkojnë e vijnë. Sigurisht, nga kjo bën përjashtim koka e udhëheqësit.