Një amerikane 4-vjeçare u lirua të dielën në kuadrin e armëpushimit mes Izraelit dhe grupit militant Hamas. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, Presidenti amerikan Joe Biden përshëndeti lirimin e fëmijës dhe shprehu shpresat se armëpushimi do të zgjatet.

Vajza amerikane Abigail Edan ishte ndër 17 pengjet që grupi militant Hamas liroi të dielën.

“Nënën ia vranë përpara syve kur vendbanimi i tyre u sulmua nga terroristët e Hamasit në 7 tetor. Abigail vrapoi drejt babait të saj, të cilin gjithashtu e vranë me armë, ndërsa mbuloi me trupin e tij të voglën Abigail”, tha Presidenti Joe Biden.

Presidenti amerikan informoi mbi përpjekjet diplomatike që janë bërë për të siguruar armëpushimin e përkohshëm mes Izraelit dhe Hamasit.

“Kemi mbajtur kontakte të afërta me udhëheqësit e Katarit, Egjiptit dhe Izraelit, duke folur me secilin prej tyre në mënyrë të përsëritur gjatë javëve të fundit për të arritur këtë marrëveshje. Prova se po funksionon dhe se ia vlen, gjendet në çdo buzëqeshje dhe në lotët mirënjohës që shohim në fytyrat e familjeve që më në fund po ribashkohen”, tha Presidenti Biden.

Mund të duhet shumë kohë sidoqoftë për rimëkëmbjen e pengjeve.

“Fizikisht shumë prej tyre janë në rregull. Emocionalisht dhe psikologjikisht do të duhet kohë të marrin veten dhe Izraeli dhe vende të tjera kanë mobilizuar burime të konsiderueshme për t’u përballur me traumën në vazhdim”, tha Jake Sullivan, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare.

Në kuadrin e armëpushimit janë liruar gjithashtu dhjetëra të burgosur palestinezë dhe Gaza është furnizuar me karburant dhe ndihma humanitare, por nuk është e qartë nëse armëpushimi do të mbajë apo nëse mund të zgjatet.

“Kur të përfundojë armëpushimi, siç tha Kryeministri Netanyahu, konflikti do të vazhdojë, sipas deklaratave të Izraelit, deri në eliminimin e Hamasit”, tha Ligjvënësi republikan Mike Turner.

Ekziston shpresa sidoqoftë se mund të arrihet rrjedhimisht një zgjidhje e përhershme mes Izraelit dhe Hamasit.

“Derisa të mos ketë një shtet të pavarur palestinez, nuk do të ketë paqe apo siguri në atë rajon”, tha Ligjvënësi demokrat Ro Khanna.

Nga Vatikani, Papa Françesku gjithashtu nënvizoi rëndësinë e dialogut për të zgjidhur konfliktin dhe përshëndeti lirimin e pengjeve./ VOA