Koreja e Veriut ka pretenduar se sateliti i saj i lëshuar së fundmi ka fotografuar imazhe “të detajuara” të Shtëpisë së Bardhë, Pentagonit dhe aeroplanmbajtësve bërthamorë të SHBA-së, të cilat janë parë nga udhëheqësi, Kim Jong-un.

Ekzistenca e imazheve nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur dhe ekspertët thonë se është shumë herët për të përcaktuar nëse sateliti spiun Malligyong-1 po funksionon siç duhet, një javë pas lëshimit të tij.

Të martën, agjencia shtetërore e lajmeve KCNA tha se Kim, i cili e pa nisjen dhe më pas organizoi një banket për shkencëtarët dhe punonjësit e programit hapësinor, kishte parë fotot e dy vendeve të qeverisë amerikane, të cilat ishin bërë vonë të hënën në mbrëmje.

Sateliti bëri gjithashtu fotografi të një baze detare amerikane, një kantier detar dhe një aeroporti në Virxhinia, tha KCNA, duke shtuar se imazhet përmbanin katër aeroplanmbajtëse bërthamore amerikane dhe një aeroplanmbajtëse britanike.