Ka mbetur më pak se një muaj deri në ditën e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, dhe dy kandidatët presidenti Donald Trump dhe rivali i tij demokrat Joe Biden, janë mbërthyer nga ethet e fushatës.
Biden po zhvillon tubime zgjedhore në Florida, ndërsa Trump, i cili është ende duke u shëruar nga COVID-19, njoftoi se së shpejti do të kthehet në terren. Debati i radhës mes tyre është caktuar të mbahet në 15 tetor. Teksa Biden kryeson në sondazhet kombëtare, një anketim i ri e nxjerr Trumpin shumë afër tij në Florida, shtet ky të cilin presidenti e fitoi në 2016. Votuesit mbi 65 vjeç llogariten si çelësi i fitores në ShBA sepse ata janë më të përkushtuarit, thonë analistët.
Prekja e Trumpit nga Covid 19 e ka hedhur edhe më shumë vëmendjen mbi këtë sëmundje. Ajo, sipas opinionistëve të cituar nga VOA, u kujton të gjithëve se është një 74 vjeçar që garon për president kundër një 77 vjeçari dhe kemi dy njerëz mjaft të rinj, njëri nënpresident ndërsa tjetra kandidate për këtë pozitë që shumë lehtë mund të jenë kandidatët e ardhshëm. Të njëjtët analistë vlerësojnë se rezultati i zgjedhjeve do të jetë një referendum mbi mënyrën se si Presidenti Trump menaxhoi pandeminë.