Gjergj Vlashi, “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, është përcjellë sot me nderime të mëdha nga bashkëqytetarët e tij të Durrësit, kolegë të punës dhe përfaqësues të artit e kulturës.

Regjisori dhe shkrimtari Gjergj Vlashi u nda nga jeta 3 ditë më parë në moshën 92-vjeçare, por sot janë zhvilluar homazhet për nder të tij në hollin e  qendrës kulturore “Aleksandër Mosiu”.

Kolegë të tij që e kanë njohur nga afër dhe kanë punuar prej vitesh me të shprehen se vdekja e tij është një lajm i keq për kulturën, pasi nëpërmjet një karriere të gjatë ai ka spikatur në regjisurë, krijimtari dhe përkthime.

“Për mua është simboli i Durrësit. Gjergji ishte një figurë shumë e madhe. Një nga njerëzit më të thjeshtë të qytetit tonë. Nga ai kanë përfituar të gjithë shkrimtarët dhe artistët e Shqipërisë.  Unë mbaj mend që në moshë të re që figurat më të shquar të letërsisë shqiptare vinin në shtëpinë e Gjergjit për të përfituar nga kultura e tij e thellë, vinin për të marrë libra nga biblioteka e tij e pasur.“, u shpreh ndër të tjera shkrimtari Bardhyl Agasi.

Aktorja e mirënjohur, Aishe Stari e quajti të ndjerin Vlashi një njeri të gjallë, me shumë kulturë, i cili rrezatonte vetëm mirësi.

Regjisori Haxhi Rama kujtoi kohën kur u takua për herë të parë me artistin Vlashi në moshën 12-vjeçare. Ai e konsideron atë mësuesin e tij të parë por shumë të rëndësishëm.

“Gjergj Vlashi na ka mësuar se ç’është humori. Jo kot e quajnë “Babai i varietes shqiptare”, madje unë do thoja reformatori i varietes shqiptare.”, tha ai.

Duke kujtuar 40 vitet e njohjes me regjisorin Vlashi, aktori Gjergj Doçi u shpreh se profesori ka përcjellë e mësuar breza të tërë ndaj të gjithë përulen me respekt para një figure kaq të madhe.

Ndërsa për aktorin Edmond Halili, në radhë të parë, Gjergj Vlashi ka qenë një njeri i mrekullueshëm.

“Një burrë zotëri, një burrë me edukatë dhe kulturë të jashtëzakonshme”, tha ai.

Që nga krijimi i estradës së Durrësit në vitin 1960, Gjergj Vlashi u caktua regjisor i saj derisa doli në pension, ndërkohë që ka punuar me shumë trupa të tjera estradash në Tiranë, Shkodër, Korçë, Lushnje Pogradec si dhe në estradën e ushtarit.

Ai është mjaft i njohur si përkthyes e shkrimtar me rreth 30 libra të publikuar në letërsi origjinale dhe përkthime nga gjermanishtja, italishtja, rusishtja, portugalishtja dhe spanjisht. Është përkthyesi i parë i disa prej veprave të Franc Kafkës, si “Metamorfoza”, “Dera e gjyqit” dhe “Procesi”.