Kosova është renditur ndër të fundit në tri testet e programit ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve, PISA.

Ajo e ka zënë vendin e 74-të në matematikë – fushën kyçe në testim – dhe vendin e 76-të në lexim.

Në të dyja fushat, Kosova ka pësuar rënie në performancë me 11 pikë më pak, në krahasim me testet e vitit 2018.

Në shkencë, Kosova është renditur e 77-ta, me tetë pikë rënie.

Testimet e PISA-s nuk lidhen me planprogramet mësimore të vendeve pjesëmarrëse, por me zbatimin e mësimeve në përditshmëri.

Singapori prin në të tria listat.

Ministrja e Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci, ka thënë se pandemia e koronavirusit ka ndikuar në këtë rezultat.

“Rezultatet, të cilat janë bërë publike sot, kanë qenë të pritshme, duke pasur parasysh se në këtë cikël të testimit, që u organizua në pranverën e vitit 2022, kemi pasur një situatë menjëherë pas pandemisë”, ka thënë ajo në një konferencë për media.

Ndër tjerash, ajo ka përmendur se rezultat të ngjashëm kanë parashikuar edhe raportet vendore dhe ndërkombëtare, dhe se pandemia ka ndikuar në performancën edhe të vendeve të tjera.

“Në Kosovë ka pasur edhe situata tjera, pandemia ka gjetur shkolla me sfida të ndryshme të implementimit të teknologjisë, mësimi nga distanca, ndërrimet e shumta në politikëbërje në qeverisje”, ka thënë ndër tjerash Nagavci.

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), ka thënë se është shumë e shqetësuar për shifrat, por jo edhe e befasuar.

“Analfabetizmi funksional është rritur fatkeqësisht”, ka thënë organizata përmes një postimi në Facebook.

Nga Kosova kanë marrë pjesë 6.027 nxënës nga 229 shkolla.

Testet PISA organizohen prej vitit 2000, dhe më 2022 është mbajtur cikli i tetë.

Ai ishte planifikuar të mbahej më 2021, mirëpo ishte shtyrë për shkak të pandemisë së COVID-19. /REL