Nga Shpëtim KODRA

Jeta  është luftë  mes  ëndrrës e realitetit, ndërsa liria  e vërtetë  është  njohja. Poezia, si  lloji  i  parë  e  më  i  lartë i arteve  është  njohje  përmes  zemrës. Poezitë e  R.Goles  pasqyrojnë  lirinë  e  brendshme  poetike dhe  vizionin e tij  për  jetën,  shoqërinë,  natyrën.   Në  vargjet e dy  vëllimeve te reja  poetike “Skulptura  ujore” dhe “Mërzi  me këpucë  letre”, shfaqet  poeti  me  formim  kulturor e artistik (estetik), mësuesi me gjuhën e pasur dhe intelektuali,   qytetari  që jeton me kohën, me problemet e që  demonstron  një shpirt human. Në poezitë, poemat, si dhe poe-prozat (dikush përdor termin “proezi”), Ruzhdi Gole  dëshmon se, jo  vetëm i ka qëndruar besnik verbit poetik, por edhe ka ardhur duke e pasuruar tematikën e duke përpunuar stilin e tij. Poezia   është  streha, ku ai ndjehet vetvetja. Na servir një poezi elitare, ku dominon figuracioni metaforik e simbolik,  që  ka  një shprehimësi  më  të  lartë.  Për këtë po sjell   krahasimin e mëposhtëm.

Duke  lexuar poezitë e R.Goles, për rastësi, m’u kujtua poeti i njohur Artur Rembo. U ndala në  pak  vargje të tij: ”Lindja s’e di, në fillim|Vdekja ndoshta mbarim|Sot, dje,atje. Ne ishim, Jemi|Kohën burg e kemi|Vazo, botën kemi…|Nesër për ju s’do të ketë|Sot ti je i gjithi ky moment”. Shprehja  e  tij  “Unë është një tjetër” pasqyron dyzimin dhe misterin e personalitetit të tij si krijues. Ndërsa shprehjen  tjetër të tij “Të ndryshojmë jetën” e morën  surrealistët, të cilët  e  konsideronin  Rembonë  një  poet  gjenial, unik e  antikonformist. Juvenali:”Rebelizmi të bën poet”.Poetët janë njerëzit më të ndjeshëm dhe rebelizmi ndaj rregullave të ngurta  poetët modernë  e  modernistë  i  bën edhe  të ngjashëm, edhe  të ndryshëm, nga stili, forma dhe përmbajtjë e veprave.

Vargjeve  të  Rembosë  po u ve  pranë vargjet e  Ruzhdi Goles:”Do të shkoj në Himalaja vetëm|Sot jetoj në Himalaja|n’Atdheun tim, fillikat|me të tjerë|…atbir|Rroftë ajri i pastër, atbir|i botës gjer në Mars”. Ndërthurja  e koncepteve  kundërthënëse  të  çon , jo vetëm  në këtë rast, në asociacione jo të lehta për t’u interpretuar, por që të nxitin të reflektosh. Këtu shoh kalimin nga  një  kapërcim  poetik  pindarik, në  një  fluturim ndërplanetar. Mbahen parasysh, besoj, arritjet  e shkencës  moderne, që synon të shkelë edhe në planetin Mars e më tej.  Në  mjaft raste fjalët dhe vargjet e R.Goles “lëshohen të bëjnë dashuri  të  lirë ndërmjet tyre”, po të përdorim shprehjen e   një  shkrimtari  surrealist. Kërkimet dhe eksperimentimet e  tij  formale metaforike  e  simbolike, krijojnë  një  gjendje  mendore  dhe  emocionale  të  veçantë.

  Në  vëllimet  poetike  të lartpërmendura janë tejkaluar liritë poetike(të përcaktuara) dhe skemat metrike, duke përdorur lloje të ndryshme (të përziera) vargjesh e strofash. Poetët i kanë krijuar vargjet e lira, të thyera, të bardha; strofat  safike, alkeiste,  aleksandrine, anakreontike, si dhe sonetin me 14 vargje, apo atë me 15 vargje (kodën). Poetët modernë e modernistë e kanë hapur horizontin e krijimtarisë poetike. Edhe në vëllimet poetike të R.Goles  janë krijuar vizione imagjinare, si dhe përfytyrime fantazie vetjake, duke përdorur, “tituj të çuditshëm e metafora kapriçioze”, siç shprehet   F.Amursi. Në  poezitë e  tij  janë fiksuar çaste  frymëzimi  të  përcaktuara (me orare të sakta) e që shprehin  lidhje  simbolike  të  imazheve konkrete e abstrakte, si  dhe ide e mesazhe të nënkuptuara.

Jeta dhe natyra  i sugjerojnë  poetit  tema  e motive të  pafundme:”Tastierë luan pranvera”. Kështu zona e Kelmendit (me Selcën, Tamarën, Lëpushën e Vermoshin),me bukuri të rralla natyrore, i kanë nxitur poetit frymëzimin për mjaft  poezi. I shpeshtë  është animizmi, kur sendet dhe fenomenet e natyrës shpirtëzohen (si qenie të gjalla): ”Deti kafshon buzët”, apo personifikimi “Tungjatjeta, Alpe”! Një pasuri figuracioni poetik dhe asociacionesh të dukurive natyrore e jetësore, hasim në poezitë e shumta, poe-prozat dhe poemat. Fantazia e ndezur transmeton tallazet e botës shpirtërore të poetit, brenda këtij qytetërimi të zhurmshëm, plot kontraste, konflikte e luftra, ku poeti  me shpirt  të  ndjeshëm, e  ndien  vetminë (me të tjerë):” Vetmia është lodhja ime”. Qytetërimi  e  ka  shtuar  vetminë. Dikur, në  mbijetesë,  kish  më  solidaritet.

Por, brenda  shqetësimeve  dhe  shpirtit  të  trazuar,  nga zhgënjimi për venitjen e idealeve, pulson ndjenja fisnike e dinjitetit njerëzor.  Vargu: “O popull i poshtëruar nga fajtorë plot fanfara” pasqyron  gjendjen e  rëndë, shkaku i parë e kryesor i së cilës pohohet në vargun tjetër: ”Drejtësia  t’vërtetën  s’e ka  për bijë e ligjin për  bir”.Por demokracia e vërtetë është pikërisht liria, e vërteta, drejtësia. Progresi  e  regresi  i  shoqërisë  varet  nga  niveli  i  drejtësisë. Kadare:” Drejtësia është turpi  i  kombit”.  Lidhur  me  tjetërsimin,  zhvleftësimin  e  poshtërimin e  njeriut,  Migjeni  shprehet:”Në vend  që  të  naltsohet,  njeriu  poshtnohet”.  Si  interpret i tendencave  progresiste, poeti  R.Gole  vijon  më  tej:”Shpifja ushqen stomakun e grykësve”. Edhe në Kuran thuhet:”Shpifja është krim më i rëndë se vrasja”. Kurse V.Hygoi  shprehet: “Shpifësit gjakpirës ndiejnë një lumturi të zezë”. Ndjehet rebelimi, pakënaqësia e revolta edhe në këto vargje:”Ismail Qemali pa shtatore| rrënqethet koloneli jetëgjatë Tomson|Një drapër i padukshëm, ca mendjefjollë| gllabëron parqe, Tina Tërner guraçokët|Nga  akrepat  e  dhjetorit  ca lot  rrjedhin|Shpresa e velave ta nxit lundrimin|Veç një velë lundrimin ma mbyll”.

Me gjuhën e poezisë shprehet kështu shqetësimi qytetar, për të cilin vijon ende një proces gjyqësor i stërzgjatur. “Veliera” e ngritur  është  konsideruar një  “krim” nga arkeologu Gj:Frashëri, apo nga Birn  “një  gërmadhë  moderne  arkitektonike”, me hekur e beton,  që ka gllabëruar  një hapësirë  të  madhe, duke  mbuluar  një monument  fortifikimi  të  sh.13. Veliera duket sikur  bën  thirrje  për eksod të përjetshëm. Ka  sfiduar një  simbol  të Durrësit, Torrën  veneciane, por dhe ndërtesën e vjetër e të bukur të hyrjes së Portit. Poeti dënon të shëmtuarën dhe mbron të bukurën, konceptin  themelor estetik  të artit. Ai vëren që injoranca  ka shkulur  bustet e  I.Qemalit  e  të Tina Tërnerit, ashtu  siç  ka  shkulur  edhe  një  tjetër simbol  të  qytetit, para Bashkisë, shatërvanin e vitit 1928. Ndërsa  Kolonel Tomsonin, që dha  jetën  për  Shqipërinë, e degdisin sa në një vend, në tjetrin.

  Baticat e zbaticat  shpirtërore  shprehen  e  transmetohen   përmes  gjuhës  metaforike e simbolike.  Në  shërbim të kësaj  gjuhe  janë  krijuar mjaft  kompozita e  fjalë të  reja (neologjizma), mbi  bazën e fjalëve  të rralla, dialektale, apo të rikrijuara. Krijimi i fjalëve të reja nga  shkrimtarët  më  të  njohur e  pasuron fjalorin e gjuhës shqipe, që ka mbetur prapa zhvillimeve të reja.

Pozitiv është fakti përdorjes së disa trajtave të gegërishtes,  që japin një tingëllim më të bukur poetik. Veprat letrare e artistike na pasurojnë dhe na fisnikërojnë shpirtërisht. Edhe dy vëllimet e reja poetike të R.Goles janë në shërbim të këtij qëllimi të lartë. Në tërësi, në veprën e  tij, bashkëjetojnë në  harmoni  ndjenja e mendimi, si  dëshmi e dinjitetit  dhe  e  virtyteve humane.

Shpëtim Kodra  -studiues