Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbajtur një fjalim ditën e sotme në 33-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike, duke thënë se themelimi i kësaj të fundit është akti më madhor pas Pavarësisë së Shqipërisë.
Ai zbuloi gjatë fjalës së tij se në një bashkëbisedim me një bashkëpunëtore, kjo e fundit i ishte shprehur se shumë demokratë i rrëfenin se kishin mbështetur Lulzim Bashën “për shkak të doktorit”, gjë që Berisha tha se “është realiteti”.
“Vepra juaj është një nga aktet më madhore në historinë e lirisë së shqiptarëve, është akti më madhor pas Pavarësisë së Shqipërisë. Ju përshëndes sot dhe përulem para jush me nderimin më të pakufishëm.
PD është parti idealesh dhe pikërisht sepse ajo është e tillë mbetet parti e një vitaliteti të jashtëzakonshëm. Kujtoni se si u copëtuam në vitin 97, por kujtoni edhe si u ngritëm në vitet më pas me reformat që u ndërmorën.
Vitet më të rënda për ju demokratë kanë qenë vitet 2013-2021. Po bisedoja me një bashkëpunëtore timen dhe tha se nuk e kuptonte. Tha që mbështesnin Lulzim Bashën për shkak të doktorit dhe i thashë që është e vërtetë. Ata që thonë këtë thonë realitetin.
Nuk duhet të ndalem, por drama që përjeton sot vendi i ka rrënjët pikërisht nga shndërrimi i udhëheqjes së PD nga një udhëheqje idealiste në një udhëheqje pazaresh të turpshme dhe amorale.
Më 21 dhjetor të vitit 1991 në një Ballkan që akoma ishte nën diktaturat e vjetra ne u ngritëm nga ai shesh dhe deklaruam se çështja jonë kombëtare do jetë ylli ynë polar. E kuptoj sa e vështirë ka qenë për ju të mbështetni Rithemelimin, kur korrupsioni u përdor masivisht. Ju ishit besnikë të idealeve tuaja, u ngritët dhe sot jemi në këmbë, sot jemi më të vendosur se kurrë për të bërë këtë betejë gjer në fitore. Jemi 33 herë më të dijshëm, më vizionarë. Sot nuk ka forcë, regjim e diktaturë që na reziston në betejën tonë me mosbindje civile pa kthim”, u shpreh Berisha mes të tjerash.