Sheshi “Pranvera” në qendër të Durrësit i është nënshtruar rehabilitimit.

Ky projekt zhvillimi që përfshin akset rrugore “Dëshmorët” dhe “Engatia Loti II”, për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonat turistike të rajonit qëndror dhe lehtësimin e trafikut në zonat urbane të tij, është financuar nga qeveria shqiptare.

Zhvillues i projektit është Fondi Shqiptar i Zhvillimit me kontraktor B.O.E: V.Hysa shpk, ARIFAJ shpk, DENIS 05 shpk.

Vlera e objektit arrin në 189.910,073 lekë me TVSH dhe siç shkruhet në tabelën sqaruese, punimet duhet të kishin përfunduar dy muaj më parë, në gusht të këtij viti.

Por siç duket edhe në video, afati i kontratës do të zgjasë për një kohë të pacaktuar pasi punimet te “Pranvera” janë larg përfundimit. Ngushtimi i sheshit krijon mjaft vështirësi te drejtuesit e mjeteve për të manovruar në rrugë, çka do të shkaktojë edhe trafik në këtë pjesë të qytetit.

Rruga ekzistuese  ka gjerësi 15 m nga kryqëzimi i rrugës “Dëshmorët” me rrugën “Mujo Ulqinaku” deri në kryqëzimin e sheshit “Pranvera”, me trotuare mesatarisht 5m.

Kjo rrugë i ka kanalizimet e ujërave të bardha, por për shkak të problematikës së kësaj zone në rastet e përmbytjeve gjatë shirave, parashikohet vendosja e dy kolektorëve të rinj në të dyja anët e trotuareve për mbledhjen e tyre. Gjithashtu parashikohet ngritja e pusetave në rrugë dhe trotuare.

Projekti i propozuar ruan të njëjtin aks me të rrugës “Dëshmorët”. Përmasa e rrugës ku qarkullojnë automjetet nga sheshi “Pranvera” deri në kryqëzimin “Mujo Ulqinaku” është 8m, duke ruajtur nga të dyja drejtimet korsitë e parkimit me nga 2.5m dhe 3.2m secila.

Trotuaret variojnë nga 4.5m gjerësi deri në 17 m, duke bërë të mundur vendosjen e stolave për qytetarët, shtylla ndriçimi dhe pemë të reja. Trotuaret në fillim dhe në fund të tyre zgjerohen, duke krijuar vendkalime për këmbësorët dhe xhepa për parkimet e makinave.

Në kryqëzimin te sheshi “Pranvera” te rrethrrotullimi, kuota e rrugës do të jetë njësoj me atë ekzistuese. Kryqëzimi do të rregullohet me një rrethrrotullim me diametër 16.70m dhe dy korsitë e qarkullimit 3.5 m secila.