Një punë 2-vjeçare kërkimore në arkivat shqiptarë dhe të huaj erdhi e konkretizuar mbrëmjen e së premtes në formën e një atlasi.

Urbanisti Artan Kacani vetëm pak muaj pasi na prezantoi me librin e tij “Durrësi urban, para dhe pas pavarësisë kombëtare” vjen me një sprovë të re, “Atlasin Historik Urban të qytetit të Durrësit”, të botuar në anglisht.

Në faqet e atlasit pasojnë njëra – tjetrën hartat e qytetit, që nga antikiteti e deri në ditët tona, duke na sjellë më pranë shtresëzimet urbane dhe transformimet që ka pësuar Durrësi përgjatë shekujve.

Qëllimi i autorit është që ky atlas, pse jo të shërbejë edhe si një guidë turistike, në një kohë, kur Durrësi po kthehet në një destinacion mjaft të rëndësishëm turistik.

“Atlasi vjen në gjuhën angleze për shumë arsye. Së pari për të komunikuar me shumë vizitorë të qytetit, turistë. Së dyti për të bashkërenduar terminologjinë shkencore, që shumë studiues mbase dhe lokalë apo kombëtarë përdorin në revistat ndërkombëtare, në mënyrë që ta japë vlerën e qytetit në nivelin ndërkombëtar të merituar”,- tha për “DurrësLajm”, autori Kacani.

Për specialisten e Qendrës Muzeore Durrës, Antigoni Gjergji, atlasi i Kacanit është një libër smart, që shumë shpejt mund të shërbejë si referues i guidave turistike nëpër qytet.

“Eshtë një vepër që i drejtohet të ardhmes turistike të një qyteti, që zhvillon turizmin në mënyrë të qëndrueshme. Atlasi nê fakt ka një bachground që është libri i mëparshëm i Kacanit. Në sytë e mi është një vepër smart, pasi ka zgjedhur, ka qëmtuar, ka selektuar ato fenomene historike të Durrësit, të cilat së bashku kanë plazmuar identitetin territorial të Durrësit, që ne jetojmë”.

Pas viteve të kaluara në Itali, autori Kacani i është përkushtuar vitet e fundit zbulimit të sa më shumë fakteve shkencore për zhvillimin urban të Durrësit, për t’i bërë sa më të prekshëm për lexuesin e gjerë transformimet që qyteti 3000-vjeçar ka pësuar.

Botimi i tij më i fundit ka këtë si funksion primar.

“Eshtë një akt revolucionar për Durrësin dhe profesor Artani ka bërë atë që teknologjia, rindërtimi në 3D, nuk arrijnë të na e sjellin këto lloj planesh, shtresash që Kacani i sjell përmes atlasit”,- tha gazetari Geri Emiri, i ftuar për të folur në panelin e diskutimit.

Ndërsa planifikuesit urban Elton Zorba. atlasi i Kacanit i ka zbuluar një anë të historisë së qytetit, të cilën se kishte njohur.

“Kur arrin të kuptosh hyrjen në pjesën e ish-Kënetës nga Bishti i Pallës dhe daljen tek Ura e Dajlanit është një ide e një qyteti që unë si individ zor se e kisha imagjinuar. Por kur arrin të shohësh pjesën e ilustrimit, që dëshmon transformimet arrin të kuptosh se qyteti jot ka një histori, të cilën do të duhet shumë kohë për ta përvetësuar”.

Në morinë e publikimeve që po i prezantohen lexuesit durrsak këtë fundvit “Atlasi historik I qytetit” I autorit Artan Kacani merr një rëndësi të veçantë për specifikën e tij, pasi është një botim që rrallëherë I ndeshim në ditët tona.

M.B.