Platforma e mediave sociale X, dikur Twitter, po hetohet për dyshime se ka thyer ligjin e BE-së për dezinformimin, përmbajtjen e paligjshme dhe transparencën, ka njoftuar Komisioni Evropian.

Vendimi për të nisur procedurat formale të shkeljes kundër kompanisë, në pronësi të miliarderit amerikan Elon Musk, vjen disa javë pasi X iu kërkua të sigurojë prova të pajtueshmërisë me ligjet e reja të krijuara për të eliminuar gjuhën e urrejtjes, racizmin dhe lajmet e rreme nga platformat në BE.

Sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale, i cili hyri në fuqi në gusht, një kompani mund të gjobitet me 6% të të ardhurave të saj globale ose të ndalohet të operojë në të gjithë BE-në nëse zbulohet se ka shkelur ligjin.

Thierry Breton, komisioneri i BE-së i ngarkuar për zbatimin e DSA, konfirmoi hetimin në një postim në platformën e Musk.

“Sot ne hapim procedurat formale të hetimit ndaj X,” shkroi ai, duke thënë se masa ishte mbi bazën e “shkeljes së dyshuar të detyrimeve për të kundërshtuar përmbajtjen e paligjshme dhe dezinformimin; shkelje e dyshuar e detyrimeve të transparencës dhe dizajn i dyshuar mashtrues i ndërfaqes së përdoruesit”.