Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke zhvilluar hetime intensive rreth rastit të vrasjes së Liridona Ademajt. Deri më tani për vrasjen e saj janë arrestuar katër persona përfshirë bashkëshortin, Naim Murseli që dyshohet se ka porositur ekzekutimin e saj. Në paraburgim bashkë me Murselin gjenden edhe autori  Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tomë Dodaj. Liridona u vra më 29 nëntor, në mënyrë makabre në rrugën “Dalip Alshiqi”, në Bërnicë, të Prishtinës.

Zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj ka thënë për Express, se policia me institucionet relevante po punojnë në mënyrë intensive që ky rast ta merr epilogun përfundimtar.

Ndërkaq tha se në këtë fazë të procedurës nuk mund të jepen detaje të tjera.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, për këtë çështje penale mund t’iu njoftojmë se prokuroria në koordinim të plotë me policinë e institucionet relevante po punojnë intensivisht që ky rast ta merr epilogun përfundimtar. Në këtë fazë të procedurës nuk mund të japim detaje nga hetimet, deri në një fazë tjetër”, ka thënë ajo.

Ndërkaq ishte kryeprokurori i Prishtinës, Kujtim Munishi ai që deklaroi se hetimet kanë marrë drejtimin e duhur, por ka shtuar se ato se mund të zgjasin deri në dy vjet.