“Policia suedeze nuk është në gjendje të ndihmojë me përgjigjet e pyetjeve që ju i keni bërë autoritetit policor në emailin tuaj. Kjo në lidhje me legjislacionin suedez të privatësisë”.
Ishte kjo përgjigja që mori Gazeta Express në Kosovë, kur iu drejtua përmes një email-i policisë suedeze, me disa pyetje lidhur me Naim Murselin, që akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridonës.
Megjithëse media kosovare kishte tentuar të mësonte në rrugë zyrtare nëse i akuzuari kishte apo jo të kaluar kriminale në vendin nordik, policia suedeze iu referua ligjit të privatësisë në mos ndarjen e informacionit me median.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Ministria e Jashtme e Suedisë.
“Ministria suedeze e Punëve të Jashtme mund të konfirmojë se një burrë rreth të 30-ave është arrestuar në Kosovë. Ambasada e Suedisë në Prishtinë po merret me këtë çështje. Dispozitat e fshehtësisë në çështjet konsullore parandalojnë zbulimin e çdo informacioni të mëtejshëm. Të gjitha pyetjet në lidhje me ndonjë hetim policor ia referojmë policisë në Kosovë”, – shkruhej në përgjigjet e zyrës për mediat të MPJ-së të Suedisë.
Vrasja e Liridona Ademajt ishte një krim që tronditi opinionin publik në të gjithë shqiptarinë, por diskrecioni i treguar nga dy institucione mjaft të rëndësishme suedeze duhet të shërbejë si një manual etike edhe për institucionet shqiptare në mënyrën e komportimit me median dhe informacionit që ndajnë me të.
Krejt ndryshe nga mënyra e operimit të policisë homologe në vendin nordik, policia shqiptare, ose më mirë individë të caktuar brenda saj, furnizon gazetarët me informacione, ndonjëherë edhe të rreme, për të manipuluar qëndrimin e opinionit publik.
Më poshtë po sjell dy raste të ngjarjeve që tronditën opinionin publik, për të cilat policia përmes informacioneve që shpërndau tentoi të manipulonte qytetarët.
Vrasja e Klodian Rashës dhe alibia e policisë
Përmes njoftimit zyrtar në atë kohë, Policia e Shtetit njoftoi se në vendngjarje ishte gjetur një armë, e cila i përkiste të ndjerit.
Policia tha fillimisht se Rasha ishte i armatosur, pasi në vendngjarje u gjet një armë, dhe efektivi i rendit Nevaldo Hajdaraj e kishte qëlluar për vetëmbrojtje. Njëkohësisht në media në ato orë të para pas bërjes publike të ngjarjes, opinionit publik iu servir informacioni se Klodiani ishte përdorues i lëndëve narkotike.
Vetëm më pas policia korrigjoi qëndrimin e saj, ndërkohë publikimi në media i pamjeve marrë nga kamerat e sigurisë, që zbardhte të gjithë dinamikën e ngjarjes, që nga ndjekja e Klodian Rashës dhe deri goditja e tij me armë zjarri, hodhi dritë mbi të vërtetën e këtij krimi që u pasua nga protesta të dhunshme në sheshet kryesore të kryeqytetit për disa ditë me radhë.
Goditja e djalit të Zaida Çobos dhe alibia e Ardi Veliut
Goditja e një të mituri, në moshën 15-vjeçare nga punonjësit e Policisë së Shtetit në zonën e liqenit Artificial, verën e vitit 2020, shkaktoi irritim në opinionin publik për këtë gjest dhune. Sikur të mos mjaftonte kjo, drejtori i Përgjithshëm i Policisë në atë kohë, Ardi Veliu, në përpjekje për të mbrojtur aktin e punonjësit të policisë sulmoi të nënën e djalit, Zaida Çobo, duke nxjerrë përpara deptutetëve të Komisonit të Sigurisë një video ku pretendohej se ajo përdorte armë dhe nuk ishte një familje për t’u marrë në konsideratë.
Pamjet e publikuara më pas në media vërtetuan se bëhej fjalë për një skenë filmi dhe se nëna e të miturit nuk përdorte armë zjarri.
Drejtori Veliu u detyrua t’i kërkonte ndjesë qytetares, madje ta priste këtë të fundit në zyrën e tij së bashku me zv.drejtoren e Përgjithshme Aida Hajnaj.
Megjithëse zonja Çobo kishte marrë pjesë në një edicion të Big Brother ajo nuk ishte personazh publik, por kjo se ndaloi drejtorin e atëhershëm të Policisë së Shtetit ta ekspozonte me emër dhe figurë para deputetëve dhe më pas para gjithë opinionit publik.
Për të mbuluar aktin e turpshëm të efektivëve që goditën një të mitur, Ardi Veliu tentoi të hidhte baltë mbi nënën e adoleshentit, a thua se nëse kjo shtetase përdorte armë, policia legjitimohej të përdorte dhunë ndaj adoleshentit, që po bënte xhiro nga liqeni gjatë kohës së pandemisë Covid-19.
Si burime zyrtare të informacionit, media u jep hapësirë mediatike këtyre deklaratave apo informacioneve që shpesh rrjedhin nga zyrat e shtetit, nganjëherë edhe të qëllimshme.
Para presionit të mediave për të zbuluar emrat e të arrestuarve pas çdo operacioni policor, policia përmes zëdhënësve të saj në qendër apo rrethe furnizon gazetarët apo korrespondentët me gjenerealitetet e plota të të ndaluarve, pavarësisht se gjykata nuk e ka dhënë verdiktin e saj dhe deri në perfundim të hetimeve dhe dhënies së vendimit i arrestuari prezumohet i pafajshëm.
Sjellja e policisë suedeze lidhur me vrasjen e kobshme në Kosovë bie ndesh me deklaratat e shumë të ftuarve nëpër studiot televizive, që nuk ngurojnë të japin versionin e tyre lidhur me vrasjen, arsyet që e nxitën, arsyet që qëndrojnë pas saj, përfshirjen e personave të tjerë, të njohur të bashkëshortit që akuzohet si porositësi i vrasjes etj.
Në këtë kakofoni informacioni që publiku merr, që shpesh nuk kalon as filtrat elementarë të kontrollit të vërtetësisë së fakteve, është shpesh e vështirë të dallosh se kush po thotë të vërtetën dhe cili po e bën një deklaratë thjesht për të tërhequr vëmendjen dhe për audiencë.
Në morinë e deklaratave të lëshuara nga të ftuarit është thuajse e pamundur nga media të verifikojë faktet, sepse shpesh nxitimi për ta kthyer deklaratën në lajm dhe format video, tejkalon etikën gazetareske. Dhe kështu ndodhemi përpara rasteve, kur një deklaratë mund të bëhet virale, edhe pse ajo nuk ka kaluar filtrat gazetareskë.
Publiku pëlqen, komenton apo shpërndan materialin, nganjëherë edhe të shkëputur komplet nga kontekti, dhe merr një informacion të cunguar dhe të paverifikuar më parë.
Këto gjysëm të vërteta apo deklarata të rreme apo të gabuara, pasi bëjnë xhiron e rrjetit brenda pak orësh apo ditësh, qëndrojnë në motorët e kërkimit për një kohë shumë të gjatë. Në fund të ditës, barrën e mbajnë mbi kurriz personat që preken drejtpërdrejt apo tërthorazi nga deklaratat e paverifkuara apo të dhëna në nxitim e sipër.
“Gazetarët dhe mediat gjatë gjithë kohës duhet të përpiqen të botojnë informacion që, në dijeninë e tyre, është i vërtetë, i balancuar dhe i verifikuar.”- kjo është pika e parë e Kodit të Etikës së Gazetarit, hartuar nga ekspertë vendas dhe të huaj, për Këshillin Shqiptar të Medias.
Pavarësisht se qëndron e shkruar e zeza mbi të bardhë, shumë media audiovizive apo online nuk e respektojnê.
Sepse në fund të ditës, lajmi nuk përbën vetëm zbardhja e një deklarate që një i ftuar bën në një studio televizive, por ballafaqimi i fakteve dhe të vërtetave.
M.B.