Romani më i ri i Bashkim Hoxhës ka mbërritur prej pak ditësh në duart e lexuesve.
Libri nisi rrugëtimin e tij nga Durrësi dhe Torra Veneciane, një monument ky i restauruar së fundmi, që me pamjen e re i jep edhe më shumë misticitet diskutimeve letrare.
Një roman që mund të lexohet me një frymë siç thotë gazetari dhe shkrimtari Enkel Demi, një vepër që përmes groteskut demaskon absurdin e frikshëm që ka pushtuar shoqërinë tonë.
“Absurdi tek ne ka arritur kulmin dhe nëse e merr seriozisht duhet vetëm të vajtosh, nëse nuk e merr me këtë groteskun ku të gjesh edhe njëlloj drite në këtë trishtim të përgjithshëm, kam përshtypjen se nuk është as tërheqëse për lexuesin, por edhe nuk përcjell ato mesazhet e kontrasteve të mëdha në të cilën jetojmë.”,- u shpreh Hoxha.
Ndryshe nga të gjithë romanet e tjera, këtë herë Hoxha ka zgjedhur ta titullojë veprën me emrin e personazhit të vajtojcës Vito, e cila qan të vdekurit, por i bën jehonë jetës.
“Romani është një roman për jetën dhe unë zgjodha emrin e një personazhi që në gjuhën latine afrohet me jetën “Vito”. Ky është një emër tipik për zonat e bregdetit, atje edhe ku zhvillohen ngjarjet e romanit. Por më shumë e kam zgjedhur për simbolikën e jetës.”,- tha shkrimtari.
Duke u përqendruar tek një nga profesionet që populli ynë i ka njohur dhe respektuar, siç është ai i vajtojcës, Bashkim Hoxha sjell për lexuesin shumë aspekte nga realiteti i trishtë shqiptar, i kontrasteve të thella që ekzistojnë në zonat e largëta, të marrëdhënieve të shtetit me individin, të marrëdhënieve njerëzore mes banorëve të një komuniteti. Fshati i thellë ku Hoxha i ka përqendruar ngjarjet e romanit, është Shqipëria jonë e shekullit XX dhe XXI, pak folklorike, pak botaforike, por edhe pak aspirante për demokraci.
M.B.