Të paktën 70 raportohet të jenë viktimat në radhët e palestinezëve, të cilët mbetën të vrarë pas një sulmi ajror izraelit që goditi në vigjilje të Krishtlindjes një kamp refugjatësh, në Gazën qendrore.
Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Hamasi, njoftoi se sulmi ndodhi në kampin e refugjatëve al-Maghazi, në lindje të Deir al Balah.
Vdekjet të dielën ishin rezultat i një prej sulmeve më të përgjakshme që kur Izraeli shpalli luftë kundër Hamasit pas inkursionit të 7 tetorit, dhe që erdhi vetëm pak orë pasi ushtria izraelite konfirmoi se 15 ushtarë të tyre u vranë gjatë fundjavës.
IDF tha se po shqyrtonte raportin e një sulmi ajror në Maghazi dhe ishte e angazhuar për të minimizuar dëmin ndaj civilëve.
Ndërkohë, pamjet e transportimit të të plagosurve në spitale u publikuan nga Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze, ndërsa mjekët thanë se 8 palestinezë të tjerë u vranë në një sulm të veçantë ajror në Khan Younis.
Sakaq, në qytetin e Betlehemit ku Jezusi lindi, festimet e Krishtlindjeve u anuluan, ndërsa skena tradicionale e lindjes së Krishtit në sheshin Manger ishte e rrethuar me tela me gjemba dhe rrënoja.
Lufta ka vrarë më shumë se 20,000 palestinezë dhe ka zhvendosur gati 85% të popullsisë së Gazës, por Izraeli po qëndron i palëkundur në objektivin për të shkatërruar Hamasin.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha në një deklaratë të dielën se pavarësisht kostos së luftës, ajo do të vijojë. Ai tha se forcat e vendit të tij po shkojnë më thellë në Rripin e Gazës dhe se ata do të luftojnë deri në “fitoren totale” mbi Hamasin dhe lirimin e 129 pengjeve të mbetur. Edhe gruaja e kryeministrit izraelit i ka shkruar Papa Françeskut, duke kërkuar ndihmën e tij për të bërë të mundur lirimin e pengjeve izraelitë.