Ky është momenti kur ekspertët e IKMT-së shembin me 130 kg eksploziv pallatin e Kastratit në lagjen nr.17 në Durrës.

Siç shikohet edhe në videon që “DurrësLajm” publikon, nga shpërthimi i fuqishëm që është dëgjuar kudo, është formuar një re e madhe tymi në zonë.

Pallati 13 katësh u hodh në erë në orën 16:45 të pasditës së kësaj të shtune dhe për realizimin e shpërthimit u hapën në trupin e objektit 5 mijë furnela (vrima).

Në terren ishte edhe Dallëndyshe Bici, drejtoresha e IKMT-së, ku inspektoi nga afër situatën, ndërsa nga pallati kanë ngelur veç grumbuj të mëdhenj me inerte.

Kujtojmë se disa ditë më parë, për dobësimin e strukturës së këtij pallati, IKMT kreu shpërthime të brendshme për prishjen e strukturës.

IKMT bën me dije se gjatë shpërthimit, për shkak të forcës shumë të madhe goditëse, ka pasur dëmtime të lehta (xhama të thyer) në objektet përreth.

“Nuk ka pasur asnjë të lënduar, as nga qytetarët, as nga inspektorët që realizuan shpërthimin.”, thuhet në njoftim.