Nga BUJAR QESJA
Është ndarë nga jeta Gani Dona. Në opinion, nuk e di se cili ka qenë shkaku apo arsyeja, që mbiemri u popullarizua në Dano. Dhe kështu i mbeti. Për t’i qendruar besnik mbiemrit të plotë të origjinës, do ti përshtatemi me mbiemrin Dona.
Në art, sidomos në kinematografi dhe në teatër, sipas roleve ndahen në kryesore dhe figurative. Por jo rrallë rolet figurative, apo episodike nga mjeshtria e aktorit, kanë mbetur në mendje të shikuesve, ndoshta më shumë nga rolet protogoniste. Një i tillë është Gani Dona, por jo në teatër, as në kinematografi por në futboll.
Durrësi dhe më pas “Lokomotiva”, në historikun e ekipit, ia njeh meritat dhe ndihmesën Gani Donës. Po lexoja në rrjetet sociale dhe kjo vinte si një formë ultimative, përse nuk shkruhet për Ganiun, shokun dhe mikun tonë të hershëm. Detyrimi nuk është i mjaftueshëm personalisht, por institucionalisht.
Gani Dona dhe shumë si ai, që jetojnë apo që janë ende me frymë, i kanë dhënë qytetit, kanë veshur fanelën e një klubi, që në këtë rast është “Lokomotiva” dhe ndihmuan në zhvillimin dhe masivizimin e futbollit.
Nuk dua të jem në pozicionin e kritizerit, sepse nuk më shkon dhe nuk e njoh këtë rol, por për të sqaruar disa zëra që e kërkojnë si detyrim , atë që e kam morale dhe shoqërore. Për t’i shërbyer historikut të futbollit të Durrësit, duhet të mendohet të shkruhet biografia e mirfilltë i këtij futbolli, me të gjithë ato që kanë luajtur, detyrat që ato kanë kryer dhe ndikimi që kanë patur në opinionin sportiv.
Detyrimi profesional ndaj sporteve të Durrësit, dashuria ndaj qytetit tim të lindjes, respekti ndaj atyre që i kanë dhënë sidomos futbollit, më nxit që të shkruaj edhe për Gani Donën, në lamtumirën e fundit me 22 dhjetor 2023, në moshën 87 vjeçare.
Pak kohë më parë kam shkruajtur për Ganiun. Ndihmesa në shërbim të zhvillimit të futbollit durrsak, nuk matet me gram dhe kilogram, por nga çfrytëzimi i mundësive të gjithsecilit. Dhe në rastin e Gani Donës, jemi në justifikim të plotë të këtyre rradhëve, pasi pasioni dhe aftësitë e tij janë çfrytëzuar 100 përqind në interes të paraqitjes cilësore të “Lokomotivës” dhe ardhmërisë së saj.
Ganiu ka dhënë shumë. Fuqia e tij ishte shkrirë plotësisht me forcën e kolektivit dhe roli si mbrojtës është për t’u evidentuar dhe vlerësuar. I fortë fizikisht, me shpirt që “çante malet”, jepte jo në pak raste nxitje shokëve, për të mos humbur besimin për t’ia dalë edhe kur ishin në humbje.
Gani Dona ishte shembulli më i plotë i sakrificës në lojë dhe i mosdorëzimit. Është lindur në Durrës në vitin 1936 dhe në mesin e viteve 50-të dhe 60-të, “Lokomotiva” e Durrësit e kishte pjestar të saj.
Brezi që luajti Ganiu, është shumë i njohur. Kujtojmë këtu Abdulla Dumën, Taq Muratin, Mile Qoshen, Muharrem Kadiun, Teli Cikon, Feti Golashin, Kadri Alia, Skënder Zalla, Nderim Hoxha, Filip Disha, Orest Gramin, Mustafa Saraçin, Shyqyri Hasa, Zyhdi Daja, Thoma Thimjon, Raq Manushin, Pask Bardhin, Met Spahiun, Bardh Bilalin, Pandi Zoga, Bardh Kalaja etj. Ganiu luante thjeshtë, por shpirti i tij i garës, i krijonte atë pozicion ku sportëdashësit durrsakë e kanë patur gjithnjë të preferuar.
Ganiu i shërbeu futbollit, por edhe atletikës. Kam një foto të vitit 1959, ku ekipi i atletikës së Durrësit, është fiksuar në hyrje të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”. Krahas emrave të Dilaver Carës, Idriz Çinarit, Frederik Gjergos, Luigj Aleksit, Isuf Zyriqit, Iliaz Elezit, Vlash Dhima, Nikolla Çetës, Anton Shkjezit, Zija Turkut, etj. është edhe ai i Gani Donës.
Energjitë e tij, potenciali i mrekullueshëm fizik, grinta në aftësitë vrapuese, e bënin të domosdoshme prezencën në përfaqësimet e disa llojeve të sporteve për Durrësin.
Në moshë shumë vite mbi pensionin, Gani Dona është marrë me trajtimin e ekipeve të fëmijve. Ekipet që pregatiteshin nga Ganiu, dallonin për rezultate pozitive, por edhe se në rradhët e tyre kishte futbollistë të talentuar dhe me të ardhme. Ish fusha e Kimikes siç i thonë vendasit, në dheun tërë kripë të krijuar nga thellimi i portit nga draga dhe ndërtimin e shëtitores së Durrësit, ishte shtëpia e dytë e Ganiut tonë, duke gërshetuar pasionin dhe talentitn e dikurshëm si futbollist me atë të trajnimit.
Përgjegjësi i zonës numër 3 për periudhën 2000-2010, që përfshinte qarkun e Durrësit Kujtim Sakuta, ka shumë kujtime për Gani Donën.
-Ishte shembull për ne të tjerët. Ekipet që trajnoheshin nga ky emër i njohur i futbollit konkuronin me shumë sukses, duke nxjerrë në pah punën e kujdesshme dhe profesionale të Ganiut. Shpreh keqardhjen për largimin nga jeta. Kemi humbur një futbollist, trajner dhe specialist të aftë.
Ganiu dëshirën për futbollin ia nxiti edhe të birit Ilirit, i cili arriti të ishte titullar në ekipin e të rinjve. Vëllai i Ganos, Malo, luajti futboll dhe ky i njohur në trajnimin e ekipeve të moshave. Ekipet e futbollit me emrin “Kalaja”, përfaqësoheshin për moshat nga 12 deri në 15 vjeç.
Emri i Gani Danos, është i lidhur edhe me ekipin e futbollit të fabrikës së gomës “Kozma Nushi” në Durrës. Duke luajtur edhe vetë, ndonëse në një moshë të madhe, u bë shembull për shokët, duke e renditur ekipin amator të kësaj fabrike, në vende kryesuese në futbollin e qendrave të punës dhe të prodhimit.
Gani Dona ishte kavaljer dhe me zemër të madhe. I donte shokët, miqtë dhe gjithnjë kërkonte që të takoheshin, për të kujtuar vitet e bukura të rinisë, kur merreshin me sporte dhe përfaqësonin qytetin. Në një rast më thotë:
-Dua të bëj një tryezë modeste. Mos ma prish! Por më parë dua të të pyes. Kam dëshirë të ftojë edhe tre futbollistë, që të krijojmë një mjedis të ngrohtë miqsh. I dua shumë edhe ata. E di cilët janë? Petraq Ikonomi, Feti Golashi dhe Muharrem Kadiu.
Plotësisht dakort ia ktheva. Duke qenë pranë sporteve përmbi gjysëm shekulli, marrdhëniet e mia, janë të fuqishme me komunitetin sportiv të Durrësit. Dhe u organizua një takim i paharruar.
Gani Dona, apo Gani Dano në popull, nuk jeton. Hidhërim për këtë humbje. Ganiu aq i dashur dhe i respektuar, aq energjik dhe vullnetplotë, aq miqësor në shoqëri dhe potent dhe cilësor kur luante, nuk është më pjesë e gjallë e jona.
Por kujtimet për të nuk mungojnë. Në 87 vite jetë, ai diti t’u angazhonte me ndershmëri si në punë ashtu edhe në sporte, duke lënë gjurmë të arta, të një njeriu që gjithnjë vlen për t’u kujtuar.
Pushim të paqëm Gani Dona, ashtu sikundër ishe i paqëm tërë jetën!
Bujar Qesja
Durrës: 25 dhjetor 2023