Kreditimi i ekonomisë u rrit përsëri gjatë muajit nëntor. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, kredia e re kishte vlerën e 27.1 miliardë lekëve, në rritje me 34% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Për 11 muajt e vitit 2023, kredia e re e disbursuar nga sektori bankar ka arritur vlerën e 273.7 miliardë lekëve, në rritje me 10.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Kredia e re ka prekur tashmë ritme dyshifrore të rritjes, pavarësisht efektit negativ të kursit të këmbimit, që ka ulur vlerën e kredisë së dhënë në valutë të huaj.
Kredia e re po shfaq ritme të larta të rritjes, duke konsideruar faktin që politika monetare ndodhet në një cikël shtrëngues dhe normat e interesit janë rritur në dy vitet e fundit. Pavarësisht kësaj, qasja më e moderuar që ka ndjekur Banka e Shqipërisë në ritmet e normalizimit të politikës monetare duket se ka dhënë efekt e saj në kreditim, sidomos duke parë që rritja ka ardhur kryesisht nga kredia në monedhën vendase. Shqipëria ka një normë bazë në nivelin 3.25%, ndër më të ulëtat në Europë. Kredia e re këtë vit është në rritje si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe në atë të individëve.
Kredia për shoqëritë tregtare private për 11-mujorin 2023 arriti në 181.6 miliardë lekë, në rritje me 10.5% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Pavarësisht ritmeve të ngadalësuara të rritjes ekonomike, kreditimi i biznesit duket se po ruan ritme mjaft të larta. Kreditimi i biznesit është rritur në monedhën vendase dhe kryesisht në produktet e kredisë afatshkurtër për nevoja likuiditeti.
Edhe kreditimi i individëve paraqitet në rritje, në vijim të një cikli pozitiv disavjeçar. Sipas bankës së Shqipërisë, kredia e re për individë gjatë 11-mujorit 2023 arriti në 82.5 miliardë lekë, në rritje me 6.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Edhe tek individët rritja e kredisë ka ardhur e gjithë në monedhën vendase, ndërsa kjo rritje paraqitet e shpërndarë mes kredisë për blerje banesash dhe kredisë konsumatore.
Sidoqoftë, leximi i shifrave të kredisë së re duhet bërë me disa rezerva, sepse ajo përfshin edhe rifinancimet e kredive ekzistuese, zhvendosjet e kredive nga një bankë në një tjetër ose edhe konvertimet e kredive nga një monedhë në një tjetrën, që këtë vit kanë qenë të shumta, për shkak të kursit të ulët të këmbimit Euro-Lek dhe normave më të ulëta të interesit në monedhën vendase.
Në fakt, megjithë rritjen relativisht të lartë të kredisë së re, stoku ose teprica e portofolit të kredisë për muajin nëntor pësoi një rënie të ndjeshme me 8 miliardë lekë për nëntorin. Në fund të muajit të kaluar, portofoli arriti vlerën e 722.2 miliardë lekëve, në rritje me pothuajse pesë miliardë lekë krahasuar me muajin shtator.
Me bazë vjetore, rritja e kredisë ngelet e ulët, me rreth 0.3%. Megjithatë, edhe këtu duhet marrë në konsideratë efekti i fortë statistikor i kursit të këmbimit. E zhveshur nga efekti i forcimit të lekut, rritja e kredisë do të ishte ende në nivele relativisht të larta.
Një faktor tjetër që mund të shpjegojë diferencat e konsiderueshme mes rritjes së kredisë së re dhe tepricës së kredisë mund të jetë edhe fakti që kredia e re është ndikuar më pak nga efekti i kursit të këmbimit, duke qenë se kreditimi i ri këtë vit ka qenë kryesisht në Lekë. Ndërkohë, teprica e kredisë është ndikuar më shumë nga ky efekt, duke qenë se portofoli në valutë të huaj përbën pothuajse gjysmën e totalit.
Rritja vjetore e portofolit të kredisë vazhdon të mbështetet e gjitha në rritjen e segmentit të individëve, ndërsa kredia për ndërmarrjet private dhe publike paraqitet në vlera më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /Monitor