Ministri i Brendshëm, Taulant Balla në konferencën për mediat nga Kryeministria u pyet nga gazetarët edhe për çështjen e 21 janarit. Balla u shpreh se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dha një vendim të rëndësishëm pasi sipas tij, urdhëroi dhe nuk sugjeroi vijimin e hetimeve nga Prokuroria.

Balla u shpreh se ky vendim hap një mundësi të re që i duhet shkuar deri në fund. Pas dy ditësh në Itali, njoftoi ai, do të niset predha dhe elemente të tjera forensice në mënyrë që hetimet të ecin përpara.

“Sot jemi në kushte të reja të krijuara pas një vendimi shterues të Gjykatës. Në dritën e këtij vendimi edhe policia ka identifikuar detyrat që kanë lidhur lidhur me plot cështje, që hidhen me hetimin e veprimeve të autoriteteve ekzekutive por edhe zinxhirin komandues.

Është në detyrën e të gjitha institucioneve për shkak se vrasja e 2 prej 4 personave është konsideruar si vrasje pa autor, prokuroria i ka mundësitë të vijojë, vendimi i gjykatës është urdhërues, e kemi përkthyer e kemi gati me të gjitha konkluzionet për hetimin e plotë, ku gjykata e vendos theksin te pjesa e zinxhirit komandues.

Vendimi i Gjykatës ka hapur mundësi të re që i duhet shkuar deri në fund. Pas disa ditësh niset në Itali për inspektim, predha dhe elemente të tjera. Në mënyrë që të konkludohet për sa i përket elementeve forensic dhe elementëve të tjerë. Nuk do ketë më asnjë mundësi manovrimi. Gjykata ka dhënë një vendim që jemi të detyruar ta zbatojmë. Flas si ministër i brendshëm, jo si Taulant Balla një prej protestuesve të 21 janarit”, u shpreh Balla.