Ka mbyllur sytë më 31 dhjetor 2023 dhe do të varroset nesër (e martë), më 9 janar 2024, një mik i mirë i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Shkrimtari, oficeri detar dhe studiuesi italian Paolo Muner ka mbyllur sytë në moshën 79-vjeçare.
I lindur në Itali, i diplomuar për Shkenca Politike me fokus ndërkombëtar, Muneri kishte drejtuar një mision në Shqipëri në rininë e tij me skuadriljen e parë të Rojes Bregdetare të Durrësit dhe Vlorës dhe më pas në vitet 2001-2003 ka mbajtur rolin e shefit të seksionit të Forcës Detare, ndërsa dha kontributin e tij në organizimin e Rojes Bregdetare shqiptare.
Më pas, ai qëndroi në shërbim pranë Autoritetit Portual të Rojës Bregdetare të Triestes, si oficer i Marinës Italiane në rezervë.
Periudha në Shqipëri ka qenë mjaft e frytshme për Munerin, i cili zotëronte gjuhën shqipe.
Gjatë qëndrimit të tij në vendin e shqiponjave nisi punën kërkimore dhe përkthimet për historinë e Shqipërisë dhe popullit të saj, veçanërisht për lidhjet e shumta me Triesten dhe Istrinë.
Ndër botimet e tij kujtojmë ato të shkruara dhe të botuara në versionin dygjuhësh si “Nje Histori Shkodrane – Flamujt e Parë Të Anijeve Tregtare Shqiptare (1913-1914), Prej Arkivave Të Qeverisë Detare Austriake Në Trieste / Una Storia Scutarina – Le Prime Bandiere Marittime Mercantili Albanesi (1913-1914), Dagli Archivi Del Governo Marittimo Austriaco In Trieste’, ‘Jo Vetëm “Hymni i Flamurit” – Disa Kuriozitete Mbi “Himnet e Tjera Kombëtare” Shqiptare, Në Ag’ të Pavarësisë / Non Solo “Inno della Bandiera”- Qualche Curiosità Su Altri “Inni Nazionali” Albanesi, Agli Albori Dell’indipendenza’ e ‘Shpnésa e Schypeniis (Shqiptarë të Trieshtit) / La Speranza Dell’Albania (Albanesi Di Trieste)”.
Në moshë të shtyrë, Muneri ishte bërë edhe gazetar i pavarur, duke shkruar disa artikuj mbi historinë e Shqipërisë, me vëmendje të veçantë për historinë detare. Së fundi, ai mbajti disa konferenca në Universitetin e Triestes, Venecia Ca’ Foscari, Koper, Shkodër dhe Durrës.
Konferencat ishin kryesisht për lundrimin, por jo vetëm; sepse kërkimet e Munerit shpesh përfshinin rrënjët gjuhësore, poezinë dhe letërsinë shqiptare.
Varrimi i tij do të mbahet të martën në “Chiesa di Nostra Signora di Sion”, në Trieste, Itali.