Për të disiplinuar ndërmarrjet shtetërorë që marrin kreditë dhe nuk i shlyejnë, Ministria e Financave po bën gati një projektligj “Për Menaxhimin e Garancive dhe Kredive Shtetërore të Pakthyera”, i cili synon krijimin e regjistrit elektronik me bazat e të dhënave.
Deri në fund të shtatorit 2023 kur janë raportuar të dhënat e fundit, borxhi i garantuar ishte në vlerën e 416 milionë eurove. Rreth 70% e kësaj shume është marrë nga ndërmarrjet me kapital shtetëror, kryesisht nga sektori i energjisë, por qeveria ka hyrë garant ndaj bankave dhe qeverive ndërkombëtare.
Më së shumti ky lloj borxhi shlyhet nga buxheti me taksat tonë në vend që të paguhet nga ndërmarrjet që e marrin.
Për monitorimin e kredive ku qeveria ka hyrë garant do të ngrihet një agjenci e posaçme. Sipas Ministrisë së Financave Agjencia për kreditë e garantuara të marra në bankat e nivelit të dytë raporton te Regjistri i Kredive dhe zbaton kriteret e klasifikimit për bankat dhe institucionet financiare jo- banka, në mënyrë qe këto hua të figurojnë në Regjistrin e Kredive edhe pasi t’i transferohen Agjencisë me qëllim qe informacioni në Regjistrin e Kredive për këta huamarrës të jetë i plotë.
Për marrëveshjet e huasë të nënshkruara nga institucionet financiare pjesë e skemave të garancive përkatëse, Agjencia ka detyrë të rakordojë çdo tre muaj të dhënat me huadhënësit dhe Ministrinë përgjegjëse për financat dhe të raportojë çdo tre muaj në Ministrinë e Financave mbi ecurinë e skemave të garancisë.
Për skemat e veçanta të garancisë, Agjencia ka detyrë të monitorojë shlyerjen e detyrimeve të huamarrësve ndaj Ministrisë përgjegjëse për financat për pagesat e kryera nga kjo e fundit në kuadër të marrëveshjeve të garancisë me anë të kontrollit të dokumentacionit dhe me në të verifikimeve të faturave dhe mandat pagesave të subjekteve për përcaktimin e procedurave të detajuara për kthimin e garancive, huave de nënhuave dhe procedurat e marrjes në pronësi të pasurive të lëna si garanci.
Sipas Ministrisë së Financave më shumë se 70% e totalit të garancive shtetërore i përkasin sektorit të energjisë, duke reflektuar politikat e qeverisë në drejtim të mbështetjes së sektorit të energjisë.
Në fund të muajit dhjetor 2022, portofoli i borxhit të garantuar vlerësohet në 52.2 miliard Lekë (2.4% e PBB) ose 3.8% e portofolit të borxhit të qeverisjes qendrore. Garancitë në tregun e brendshëm zënë 38.1% të stokut total të borxhit të garantuar ose 19.9 miliardë lekë, ndërsa garancitë e dhëna në favor të kreditorëve të huaj përfaqësojnë 61.9% të stokut të borxhit të garantuar ose 32.3 miliardë lekë.
Në stokun e garancive përfshihen dhe dy garancitë që emetoi qeveria e Republikës së Shqipërisë gjatë muajve prill – maj 2020, në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, si edhe garancia shtetërore e cila u lëshua në vitin 2022, për të menaxhuar situatën e krijuar nga ndikimi i konfliktit Rusi-Ukrainë në rritjen e çmimeve. /Monitor