Sulmet nga militantët e mbështetur nga Irani në Detin e Kuq kanë mbyllur në mënyrë efektive një nga rrugët kryesore tregtare të botës, për shumicën e anijeve me kontejnerë.
Gjashtë nga 10 kompanitë më të mëdha të transportit të kontejnerëve po shmangin kryesisht ose plotësisht Detin e Kuq për shkak të kërcënimit nga militantët Houthi.
Një mbyllje e zgjatur e kësaj rruge ujore, e cila lidhet me Kanalin e Suezit, mund të rrënojë zinxhirët globalë të furnizimit dhe të rrisë çmimet e mallrave të prodhuar në një moment vendimtar në betejën për të mposhtur inflacionin. Kanali i Suezit përbën 10-15% të tregtisë botërore, e cila përfshin eksportet e naftës dhe 30% të vëllimeve globale të transportit me kontejnerë.
Ndërsa kriza përshkallëzohet, pasojat për ekonominë globale po rriten.
Tesla po ndalon shumicën e prodhimit si fabrika e saj gjigante e makinave elektrike në Gjermani , sepse sulmet kanë ndërprerë furnizimin e pjesëve.Shitësit me pakicë po paralajmërojnë për vonesa të dërgesave dhe kostoja e lëvizjes së mallrave nga deti po rritet. Çmimet e naftës po rriten gjithashtu, me 2 përqind në SHBA. Ky reflektim vjen si pasojë e frikës së një lufte më të gjerë rajonale që mund të prishë zinxhirin e furnizimeve.
“Tregtia globale ra me 1.3% nga nëntori në dhjetor”, tha të enjten Instituti gjerman i Kielit për Ekonominë Botërore, duke përmendur pasojat e sulmeve ndaj anijeve të mallrave në Detin e Kuq.
Në një raport dy-vjetor të publikuar të martën, Banka Botërore paralajmëroi se ndërprerja në rrugët kryesore të transportit po rriste gjasat për pengesa inflacioniste.
Tashmë, kostot e transportit janë rritur, të cilat përfundimisht mund të shfaqen në çmimet e konsumit. “Sa më gjatë të vazhdojnë ndërprerjet, aq më të forta janë efektet stagflacioniste për ekonominë globale,” shkroi kryeekonomisti në Allianz, Mohamed A. El Erian, javën e kaluar në X.
Nëse lufta Izrael-Hamas përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë rajonal ose Houthi-t vendosin të ridrejtojnë sulmet e tyre drejt cisternave të naftës dhe transportuesve me shumicë – të cilat transportojnë lëndë të para të rëndësishme si mineral hekuri, drithëra dhe lëndë drusore – pasojat për ekonominë globale do të ishin më të rënda.
“Në një mjedis konfliktesh të përshkallëzuara, furnizimet me energji gjithashtu mund të ndërpriten në mënyrë thelbësore, duke çuar në një rritje të çmimeve të energjisë. Kjo do të kishte ndikime të rëndësishme në çmimet e mallrave të tjera”, shtoi raporti i Bankës Botërore.