Pas luftimeve të ashpra që shpërthyen të dielën midis forcave armene dhe azeriane, presidenti francez, Emmanuel Macron në një konferencë shtypi në Letoni, tha se është i papranueshëm inkurajimi që po i bëhet Azerbajxhanit nga ana e Turqisë për të ripushtuar Nago-Karabakun.
Megjithëse ai deklaroi që në këtë fazë nuk kishte asnjë provë që tregon përfshirjen e drejtpërdrejtë të Turqisë në këtë çështje, u shpreh se dihet që Turqia është një aleat i Azerbajxhanit dhe të dyja vendet ndajnë lidhje të ngushta etnike dhe kulturore.
“Unë kam ndjekur deklaratat politike të Turqisë (në favor të Azerbajxhanit), të cilat mendoj se janë të pakonsiderueshme dhe të rrezikshme”, deklaroi Macron duke shtuar se këtë çështje do ta diskutojë sot në mbrëmje me Presidentin rus Vladimir Putin dhe nesër me Presidentin e SHBA Donald Trump.