Në një takim të organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Pushtetit Vendor së bashku me kryetarët e bashkive në vend, u prezantuan aktivitetet e kalendarit kombëtar të Vitit të Pyjeve.

Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro, bëri kritika për më shumë se gjysmën e bashkive, që sipas saj, nuk kanë asnjë plan vazhdimi për pyjet.

“Fatkeqësisht rreth 8 vite që u bënë nga kalimi i pyjeve në administrim të bashkive dhe 4 vite pas hyrjes në fuqi të ligjit na rezulton se më shumë se gjysma 33 bashki nuk kanë asnjë plan vazhdimi. Ka bashki që gjatë periudhës 8-vjeçare nuk kanë asnjë shpenzim si zë investimesh në fondin pyjor.

Përfshirja në nivelin më të lartë nga gjithë aktorët është hapi i parë që për vitin e pyjeve ta kthejmë në një vit ku të përqëndrohet gjithë vëmendja në një plan kombëtar. Nuk është çështja të bëjmë mbjellje sporadike dhe puna më e rëndësishme u takon bashkive”.

Ministrja Kumbaro renditi bashkitë në rang kombëtar që kanë performancë të dobët.

“Kemi bërë monitorim të detajuar të gjithë situatës. Kemi hartuar kartat e performancës për çdo bashki që me shumë kënaqësi do t’ja u jap. Për 61 bashkitë kemi hartuar kartat e performancës, ku detyra kryesore janë hartimi i planeve të mbarështimit. Është kusht i domosdoshëm për t’i administruar këto ekonomi. Pa këto plane nuk mund të prodhojmë ekonomi. E quaj të papranueshme që 8 vite pasi jeni bërë pronarë dhe administratorë të këtyre pyjeve. 50% e bashkive nuk i kanë këto plane mbarështimi. Performancë të dobët kanë pasur veçanërisht disa bashki që kanë fond pyjor të konsiderueshëm, kanë edhe të ardhura falë këtyre ekonomive por nuk kanë fare investime. Kam parasysh këtu Mirditën, Fushë-Arrëzin, Kolonjën, Pukën, Tropojën, Skraparin, Dibra. Nuk është normale as fakti që bashki me sipërfaqe shumë të madhe pyjore realizopjnë apo deklarojnë të ardhura shumë të pakta prej ekonomive pyjore, si Malësia e Madhe, Puka, Hasi.Ka bashki që raportojnë 0 Lekë të ardhura si Himara, Finiqi, Lezha, Dropulli, Memaliaj, Kurbini, Vlorë, Divjaka, Roskoveci. Dhe i bie që janë afërsisht 1/3 e bashkive në Shqipëri që nuk realizojnë të ardhura nga ekonomia pyjore. 57 ekonomi pyjore kanë plane të kryera mbarështimi”.

Por ka dhe bashki të cilat kanë realizuar investime në fondin pyjor.

Kemi dhe shembuj pozitiv. Për vitin që lamë pas kemi raste inkurajuese të 13 bashkive që kanë kryer investim të rëndësishëm në fondin pyjor. Dua të veçoj Bashkinë e Tiranës. E kam te modeli, ka investuar gradualisht çdo vit në planet e mbarështimit. Në krye të kaq vite ka ndërtuar sot një ndërmarrje publike si biznes publik të qëndrueshmë që prodhon ekonomi. E dyta bashki është Bashkia e Elbasanit e cila vjen gjithashtu me të njëjtin model. E ndjekur nga Korça, Prrenjasi, Kukësi, Devoli, Librazhdi, Poliçani, Vau i Dejës, Gramsh, Patos. Ndonëse Bashkia Shkodër nuk ka pasur të ardhurat e duhura për sipërfaqen e konsiderueshme që ka, në gjysmën e dytë të këtij viti ka bërë investime në pyje shumë më tepër nga çka nxjerrë të ardhura. Me sipërfaqen pyjore që ka, Shkodra mund të bëjë më shumë”, u shpreh ministrja Kumbaro.