Nga shpërthimi i një granate dore në orët e vona të së hënës në Mitrovicë të Veriut janë plagosur dy persona.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se njëri nga të plagosurit është në gjendje më të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet në spitalin në Mitrovicë të Veriut. Por, sipas tij ai është jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkaq, personi tjetër është plagosur lehtë.
“Nuk kemi arsye të besojmë se ky rast ka lidhje me çështje etnike”, tha Elshani.
Drejtori i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, Zllatan Elek, tha se një pacient, me inicialet N.V, gjendet në reanimacion, për shkak të lëndimeve të pësuara nga një mjet plasës.
Por, edhe sikurse Policia, edhe Ellek tha se ai është jashtë rrezikut për jetë.
“Të gjitha procedurat diagnostike dhe konsultimet me specialistë të tjerë janë ende duke u bërë. Gjatë ditës do të vendoset nëse ai do të vazhdojë trajtimin në këtë qendër, apo do të ketë nevojë për trajtim në një institucion tjetër shëndetësor terciar në nivel të Serbisë”, tha Ellek për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se i plagosuri i dytë është dashur të mbahej i shtruar në ortopedi, por ai është larguar nga spitali me vetëdëshirë.
Nga Policia thanë se ngjarja ndodhi në orën 23:50 të 15 janarit, kur tre persona, të nacionalitetit serb – dy prej të cilëve u plagosën – dolën nga një lokal i njohur si “Bishevac” në Mitrovicë të Veriut dhe me të dalë një veturë u është afruar dhe u ka hedhur një granatë dore.
Nga shpërthimi janë dëmtuar edhe shtatë vetura që gjendeshin aty pranë, ndërkaq autoritetet e sigurisë thanë se po merren për zbardhjen e këtij rasti.
Edhe në të kaluarën në Mitrovicë të Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe – ka pasur incidente me mjete plasëse./ REL