Kryeministri i Kebekut njoftoi sot kufizime të reja për rajonet e Montrealit dhe Kebekut që kalojnë në nivelin më të lartë të alarmit për 28 ditë, ndërkohë që rastet e koronavirusit janë rritur ndjeshëm në këtë provincë.

Qytetarëve të Kebekut u është kërkuar të mos presin të ftuar në shtëpitë e tyre. Baret, restorantet, kinematë, muzetë dhe bibliotekat do të mbyllen nga 1 deri më 28 tetor në tre rajone, përfshirë metropolin e Montrealit dhe kryeqytetin e Kebekut.

“Shifrat janë të qarta, duhet të marrim përgjegjësitë tona, duhet të marrim vendime të vështira”, paralajmëroi kryeministri François Legault në një konferencë shtypi, duke njoftuar me “zemër të thyer”, mbylljen e disa sektorëve të ekonomisë gjatë muajit tetor.

“Qeveria po punon për një formulë për të ndihmuar financiarisht pronarët e këtyre bizneseve”, premtoi ai.

Kebeku, që numëron më shumë se tetë milionë banorë, njoftoi dje më shumë se 750 raste të reja në 24 orë. Provinca më e goditura nga epidemia, veçanërisht në shtëpitë e pensioneve gjatë valës së parë, ka hyrë në “valën e dytë”, paralajmëroi javën e kaluar, drejtori kombëtar i shëndetit publik.

Numri i të sëmurëve të rinj, rreth 100 në fund të gushtit, ka vazhduar të rritet që atëherë për t’iu afruar 1 000 rasteve fundjavën e kaluar, por numri i vdekjeve mbetet i qëndrueshëm.