Gjykata e Durrësit ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për 39-vjeçarin që kryente marrëdhënie seksuale me vajzën e bashkëshortes së tij. Top Channel shkruan se seanca për vleftësimin dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit L.K. është zhvilluar me dyer të mbyllura.
Detaje tronditëse janë zbuluar gjatë kësaj faze të parë hetimesh në lidhje me çështjen. Dyshohet se i arrestuari ka abuzuar seksualisht prej disa vitesh me vajzën e mitur që gruaja e tij e ka nga martesa e parë. Aktualisht vajza është 14 vjeç, ndërsa dyshohet se 39-vjeçari ka kryer marrëdhënie seksuale me të që kur vajza ka qenë vetëm 7 vjeçe.
Gjyqtarja e seancës e vleftësoi të ligjshëm arrestin dhe caktoi masën e sigurisë ”arrest me burg” për shtetasin me iniciale L. K.. Ai akuzohet për veprën penale të parashikuar nga neni 100/1 Kodit Penal.
Nëse gjendet fajtor nga gjykata për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me fëmijë të mitur, që nuk ka arritur moshën 14 vjeç ose me të miturën që nuk ka arritur pjekurinë seksuale, ligji parashikon dënimin me burgim nga 7 gjer në 15 vjet.
Ka qenë nëna e vajzës që ka zbuluar gjithçka përmes telefonit dhe menjëherë ka denoncuar rastin flagrant në polici, duke kërkuar dhe ndërhyrjen e saj.





