Banka Qendrore e Kosovës ka marrë vendim javë më parë që pagesat në vend do të kryhen vetëm me euro. Me këtë vendim do të ndalohet edhe përdorimi i dinarit serb në Kosovë nga 1 shkurti. Ky vendim ka ngjallur reagime të shumta.
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili mohon të shtyhet apo të anulohet rregullorja që parasheh ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në Kosovë nga 1 shkurti i këtij viti.
Ai theksoi se duhet të zbatohen të gjitha rregullat që vendosen nga BQK.
I pyetur nëse do të shtyhet ky vendim, ai ka thënë se e njëjta mund të ketë një tranzicion, derisa shtoi se qytetarët serb janë të mirëseardhur t’i bashkëngjiten sistemit financiar të Kosovës.
“Qysh me shty, çka me shty, a i bien që me shty që të thuhet që prej nesërmit mund të hyjë një automjet pa rregull, i palicensuar, kush mund ta marrë këtë përgjegjësi, a është dikush prej BQK-së që mund ta presë këtë. Kjo mund ta ketë një kohë tranzicionin, ne nuk po merremi individualisht me qytetarët serb. Ata janë të mirëseardhur e mirëpritur t’i bashkëngjitën sistemit financiar të Kosovës”.
Ai po ashtu tha se duhet të zbatohen të gjitha rregullat që vendosen nga BQK.
“Pozita e BQK-së nuk është politike. Ne vendosim rregulla dhe ato duhet zbatuar. Nëse për zbatimin e rregullave duhet një kohë e arsyeshme, është çështje që për neve këto janë rregulluat. Bile deri dje, se ka plot lloj deklarimesh që thonë se ka qenë e rregulluar, deri dje e sot, dhe në fund të janarit kanë mund të hyjnë mjete transportues në Kosovë me bo kesh dhe si ta fusin në Kosovë ta dërgojë ku ka dashtë. Për fatin e keq edhe Banka që ka qenë e licensuar e Komerciana Banka, e që tash është në proces të përmbylljes, është përdorur si arsyeje për transport, por në të vërtet në bazë të të dhënave që ka deklaruar në BQK, nuk përputhen me volumin e transkasionit që ka deklaruar. Që i bie që BQK nuk ka arritur ta shikojë në mënyrë efektive edhe operimin e vet bankës që ka operuar në atë kohë”.
Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur sot për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që nga 1 shkurti përjashton nga qarkullimi dinarin serb.
Ajo tha se sa i përket zbatimit në praktikë janë duke u diskutuar një sërë opsionesh që në njërën anë do të respektohej neni 11 i Kushtetutës së Kosovës, por në anën tjetër do të lë një kohë për informimin e qytetarëve në veri në mënyrë që të zbatohet pa problem dhe me përkrahjen e shteteve aleate.
“Sa i përket dinarit, dje me zotin Lajçak nuk kemi arritur ta diskutojmë këtë se kemi pasur shume tema për dialogun… Neni 11 i Kushtetutës kërkon që Kosova në qarkullim dhe përdorim ta ketë vetëm një valutë. Është për keqardhje që kjo nuk është zbatuar deri tani ashtu siç e kërkon Kushtetuta. Banka Qendrore e ka kryer punën e vet në përputhje me parimin e pavarësisë. Kurse sa i përket zbatimit në praktikë të këtyre parimeve janë duke u diskutuar një sërë opsionesh që në njërën anë do të respektonin nenin 11 të Kushtetutës, por në anën tjetër do të lë një kohë për informimin e qytetarëve dhe barten në llogari të reja në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate..”.
Për vendimin e BQK-së për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë ka folur eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu.
Ai tha se ndalimi i dinarit është vendim i qëlluar në kohë dhe rrethana të gabuara.
Gërxhaliu thotë se edhe për këtë çështje duhet të ketë dialog me BE e SHBA-në.
“Duhet ta kuptojmë që në aspektin ligjor Kosova ka të drejtë për të zbatuar ligjin dhe rregulloren. Vetë fakti që jemi me një proces të dialogut të mbikëqyrur nga BE e të mbështet në SHBA duhet të kemi një koordinim me aleatët tanë kur Kosova është nën sanksione dhe në raport me BE e ka rritur pakënaqësinë, vendimet e tilla pa koordinim me ndërkombëtarët po e dëmtojnë Kosovën. Nuk flitet për procese të pastra ekonomike në raporte Kosovë-Serbi pa politikën, ky korrelacion politik po e kthen Kosovën në pikën zero”.
Lidhur me këtë çështje ditë më parë është deklaruar edhe ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti.
Ai tha se dinari ka qenë anti-ligjore kaherë, euro është valuta zyrtare e Kosovës.
“Qarkullimi i dinarit është ilegal, anti-kushtetues dhe anti-ligjor dhe çdo veprim anti-ligjor duhet të ndëshkohet por edhe në rastin konkret arsyen dhe bazën ligjore e ke për me i konfiksu. Për këtë arsye, mundësitë e veprimit janë të bazuara në Ligj dhe në Kushtetutën e Kosovës”.
Ndalimi i dinarit serb: SHBA, BE dhe QUINT kundër vendimit të Kosovës – Revista Monitor
Pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, se nga 1 shkurti do të hiqej nga qarkullimi valuta e dinarit serb, ka pasur reagime të shumta.
Nga Departamenti Amerikan i Shtetit kanë deklaruar se Kosova duhet të ofrojë më shumë kohë dhe të konsultojë komunitetet që preken nga vendimi i 27 dhjetorit të BQK-së.
Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier pas takimit me guvernatorin e BQK-së ka kërkuar shtyrjen e vendimit për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
“Ne presim që Kushtetuta në tërësinë e saj të zbatohet plotësisht. Në këtë rast besojmë se këto rregullore mund të kenë pasoja që nuk janë menduar plotësisht. Ne kërkojmë të shtyhet zbatimi i disa prej dispozitave për të dhënë pak kohë për t’u siguruar që ata kanë bërë përgatitjen për të siguruar që popullsitë e prekura të mos ndikohen negativisht”.
Ambasadorët e shteteve të QUINT-it kanë kërkuar që Kosova të pezullojë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh se monedha e vetme në Kosovë për pagesa të jetë euro.
Përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e QUINT-it thanë se pezullimi i vendimit do të duhej të bëhej për të “mundësuar një periudhë të mjaftueshme tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik”.
“Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, u tha në deklaratë.
Ditë më parë, Uashingtoni po ashtu kërkoi që Kosova të rishqyrtojë vendimin, që do të pamundësonte serbët që jetojnë në Kosovë të përdornin dinarin serb për të bërë transaksione me dinar.
Bashkimi Evropian, ndërkaq, ka thënë se ka kërkuar sqarime nga Kosova për këtë vendim.
Në Kosovë, në të gjitha vendbanimet me shumicë serbe, popullsia përdor dinarin serb për të kryer pagesa dhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovë, i marrin edhe pagat me dinarë.
Me dinarë paguhen edhe pensionet, sipas sistemit serb, si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.
Në objektet tregtare, në zonat ku banojnë serbët në Kosovë, përveç euros, përdoret edhe dinari. Kundër këtij vendimi të BQK-së, që do të pamundësonte përdorimin e dinarit, ka dalë Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. Sipas këtij subjekti, vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovës.
Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar një rregullore për operacionet për paratë e gatshme, e cila thotë se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në Kosovë është euro. Kjo rregullore do të hyjë në fuqi më 1 shkurt./ MONITOR