Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ka nënshkruar së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës, Arbërie Nagavci, vendimin e përbashkët për unifikimin e teksteve të mësimdhënies së gjuhës shqipe në diasporë.

Ky vendim mes dy ministrive siguron që teksti i nivelit të dytë “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” të jetë i disponueshëm për fëmijët shqiptarë që mësojnë gjuhën shqipe në shkollat e diasporës.

“Sot ne kemi pasur një kurorëzim të një pune të gjatë nga ekspertë dhe studiues të dy vendeve, të Shqipërisë dhe Kosovës në lidhje me tekstin e përbashkët “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” për nivelin II, për grupmoshat e klasës së 4-6, i cili me vitin e ri shkollor në 2024- 2025 do të jetë në duar të fëmijëve, që janë në vende të ndryshme në mërgatë. Ne gjithashtu nisim konkursin për tekstin e nivelit të III, një punë që duam ta finalizojmë gjithashtu brenda këtij viti, duke përmbyllur kështu të gjitha ciklet e teksteve të përbashkëta”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës pritet të intensifikohet edhe më tej, me ratifikimin së shpejti në Parlament të marrëveshjes në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Kjo marrëveshje hap rrugën për një bashkëpunim edhe më të ngushtë dhe efektiv, duke përfshirë projekte të përbashkëta kërkimore dhe shkencore si dhe ofrimin e mbështetjes për studentët e dy vendeve me 30 bursa studimi, me qëllim që të rinjtë të kenë mundësi të studiojnë në të dy anët e kufirit.