Presidenti rus Vladimir Putin ka propozuar një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara për të shmangur ndërhyrjen në zgjedhje dhe çështje të tjera të brendshme të njëri-tjetrit.

Sipas një deklarate të Kremlinit të premten, Presidenti Putin foli për atë që ai e quajti “rrezik të një konfrontimi në shkallë të gjerë në sferën digjitale”.

Më herët këtë javë, Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, informoi anëtarët e Kongresit rreth atyre që tha se ishin përpjekje aktive nga Rusia, Kina, Irani dhe vendet e tjera për të sabotuar zgjedhjet amerikane të këtij viti që do të zhvillohen në nëntor.

Agjencitë amerikane të zbulimit kishin arritur në përfundimin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Qeveritë e tjera perëndimore gjithashtu kanë akuzuar Rusinë për përdorimin e hakerëve dhe fushatave dizinformuese në mediat sociale për të minuar zgjedhjet e tyre. Rusia i ka mohuar akuzat.

Deklarata e Putinit, e cila u lexua nga Ministri i Jashtëm Sergei Lavrov në një video të publikuar nga ministria, vjen mes akuzave të Kremlinit se vendet perëndimore po ndërmarrin një fushatë “dizinformimi” kundër Rusisë lidhur me helmimin në Siberi muajin e kaluar të udhëheqësit të opozitës ruse Alexei Navalny./ VOA