Psikologët shprehen se bullizmi dhe ngacmimet në rrjetet sociale, shpesh kthehen në shqetësuese sa mund të bëhen edhe kërcënuese për jetën, e veçanërisht për të rinjtë.
“Përballja me këto lloj kërcënimesh me atë që ne e quajmë bullizmi nga rrjetet sociale e çon individin kundrejt pasojave psikologjike që fillon me përjetimin e ankthit, me një stres të tejzgjatur duke shkuar në forma depresive që shpeshherë bëhen objekt edhe i asaj që ne themi vetëdëmtimi i vetes që mos të përdor termin vetëvrasje përsa i takon mënyrës se si përdoren këto rrjete sociale në ditët e sotme se si keqpërdoren nga persona të cilët pa dashur dhe pakuptuar që janë duke i shkaktuar viktimës në këtë rast një dëmtim shumë të madh psikologjik.”
Sipas psikologëve shumë individe krijojnë varësi nga përdorimi i rrjeteve sociale, në të cilat ka përmbajtje dhune dhe antivlera.
“Kemi grupmosha të ndryshme duke filluar nga fëmijet ku platforma të ndryshme sociale i servirin atyre modele të pafundme të cilat nuk i përshtaten moshës aktuale që ka fëmija. Në shumicën e rasteve ne flasim këtu për botën e kriminalitetit dhe po të shikoni në rrjetet sociale ku bëhen këto garat midis personazheve të njohur që adoleshentët i kanë si formë idhulli sa i përket brezit të tyre unë do të thoja së kanë një gjuhë të egër, vulgare në përdorim e cila shprehet edhe në ambientet e mjediset tona shoqërore.”
Specialistët shprehen se nuk është ashpërsimi i ligjit ai që do frenojë këto fenomene, por ndërgjegjësimi dhe sensibilizimi i popullatës sidomos të rinjtë ka një rol tepër të rëndësishëm.